Rrahmani: E njohim mirë kundërshtarin, do të përgatitemi maksimalisht

 Rrahmani: E njohim mirë kundërshtarin, do të përgatitemi maksimalisht

Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani është paraqitur sot në një konferencë për media, ku ka folur rreth ndeshjes me Moldavinë dhe asaj të nesërmes, pra me Greqinë.

Rrahmani nuk u pajtua me termin “nënvlerësim”, por ai ka thënë se atij dhe bashkëlojtarëve u mungonte pasimi i fundit, teksa fare në fund ftoi që mos ta harrojnë faktin se përballë moldavëve kishin telashe edhe kombëtare të mëdha, përcjell GazetaBlic.

“Ishte një rezultat jo i mirë, por s’mund të them se e kemi nënvlerësuar kundërshtarin. Mendoj se jemi paraqitur mirë, por na mungonte ai pasimi i fundit.

Mos të harrojmë ama, përballë Moldavisë edhe kombëtaret e mëdha kanë pasur telashe të shënojnë, pasi ata mbrohen tepër”, ka thënë fillimisht Rrahmani.

Ndërkaq, sa i përket ndeshjes me Greqinë, kapiteni shtoi:

“I kemi parë disa ndeshje të kundërshtarit dhe e njohim mirë.

Ne do të kemi shumë mungesa nga ndeshja e kaluar, por në stërvitjen e fundit do të mundohemi ta përgatisim ndeshjen taktikisht, pra sesi t’i kundërvihemi Greqisë”, ka thënë mes tjerash futbollisti i Napolit.

LAJME TË TJERA