Rreth 90 persona në pritje të rezultatit, kishin kontakte me 18 ferizajasit e infektuar me koronavirus

 Rreth 90 persona në pritje të rezultatit, kishin kontakte me 18 ferizajasit e infektuar me koronavirus

Gjatë ditës së sotme IKSHPK pritet të publikojë rezultatet e analizave për koronavirus të rreth 90 personave nga Ferizaj.

Qyteti i Ferizajt tashmë është në karantinë, pasi që 18 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë të ditur për lajmi.net, se gjatë ditës së sotme Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), do të publikojë rezultatet e rreth 90 personave të cilët kishin kontakt me 18 të infektuarit me koronavirus.

“Sot presim në fakt më shumë rezultate sepse janë marrë dje edhe sot mostrat. Mirëpo, dje janë marrë në orët e vona dhe nuk kanë mundur të përpunohen dhe të dalin rezultatet. Kështu që rezultatet apo mostrat e ditës së djeshme dhe të sotme i presim rezultatet në mbrëmje edhe varësisht prej rezultateve e shohim edhe gjendjen që mund të jetë në qytetin e Ferizajt. Dje janë marrë 65 mostra kurse sot janë marrë mbi 20, pra diku afërsisht 90 mostra”, ka treguar Aliu për lajmi.net.

Ai ka thënë se pret që të gjithë këta persona të rezultojnë negativë me COVID-19.

“Rezultati i Ferizajt, në fakt e gjithë gjendja varet prej rezultatit të analizave të sotme që do të dalin nga IKSHPK-ja. Sepse shumica e kontakteve që kanë qenë me 18 personat që kanë dalë pozitiv janë pikërisht pra ata të cilët do të rezultojnë pozitivë apo negativë, urojmë që të dalin negativë edhe gjithsesi do të na bënte më të lehtë luftën kundër COVID-19”, theksoi Aliu.

Ai po ashtu ka kërkuar nga qytetarët e Ferizajt që të tregojnë disiplinë dhe të mos dalin pa nevojë, pasi që siç theksoi Aliu, vetëm me disiplinë do të mund të tejkalohet më lehtë pandemia COVID-19.

Theksojmë se në mesin e 283 të infektuarve me koronavirus, 18 janë vetëm nga qyteti i Ferizajt, të cilët ishin infektuar pasi që kishin pasur kontakte të drejtpërdrejta me 65-vjeçarin i cili ka ndërruar jetë, e që më pas, pasi që i ishin bërë analizat kishte rezultuar i prekur me COVID-19.

Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë shëruar nga koronavirusi 58 persona kurse 7 kanë ndërruar jetë.

LAJME TË TJERA