Faqja jonë përdorë "cookies". Në momentin që pranoni këtë, pajtoheni me kushtet e përdorimit të portalit 07 Press. 

Rriten për mbi 400% rastet me COVID-19 në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës paralajmëron se do t’i mobilizojë kapacitetet spitalore dhe se do të bëjë gjurmimin dhe testimin e rasteve të reja pozitive me koronavirus.

Kjo pasi, ditëve të fundit, ka pasur rritje të përqindjes së të infektuarve.

Më 28 qershor, mbi 30 për qind e testeve kanë dalë pozitive – shifër kjo e paparë qysh në muajin janar.

Në bazë të llogaritjeve, numri i të infektuarve në dy javët e fundit të qershorit është rritur për më shumë se 400%, në krahasim me dy javët e para të të njëjtit muaj.

Gjatë pranverës, shifrat e rasteve pozitive kanë qenë relativisht të ulëta – më 24 maj nuk ka pasur asnjë rast pozitiv.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se “është e pritshme që në Kosovë të shënohen edhe më shumë raste në ditët në vijim”, duke qenë se në vendet e rajonit ka po ashtu rritje.

Në bazë të të dhënave të kësaj ministrie, të publikuara më 1 korrik, numri i rasteve aktive në Kosovë aktualisht është 730.

Përqindja e rasteve të reja pozitive i është afruar edhe më 1 korrik 30-përqindëshit.

Në qarkullim besohet se është varianti Omicron i koronavirusit, i cili përhapet më shpejt, por shkakton simptoma kryesisht më të lehta.

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i pacientëve të shtrirë me koronavirus, aktualisht, është njëshifror.

Ai thotë se, tash për tash, edhe medikamentet janë të mjaftueshme, edhe stafi mjekësor.

“…por, nëse vjen deri te një numër më i madh i pacientëve, ashtu siç ka ndodhur në valët e mëparshme [të pandemisë], na duhet më shumë personel mjekësor”, thotë Vishaj.

Pandemia e koronavirusit ka shpërthyer në mars të vitit 2020 dhe në periudha të caktuara të saj, Kosova është përballur me valë të rënda, që kanë imponuar angazhime shtesë të stafit mjekësor, por edhe shtim të shtretërve në klinika të ndryshme.

Gjyle Mulliqi-Osmani, mikrobiologe e pensionuar, thotë po ashtu se në ditët e ardhshme do të ketë rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus.

Sipas saj, edhe numri aktual mund të jetë më i lartë, pasi, siç thotë, asimptomatikët nuk testohen.

Mulliqi-Osmani beson se kjo valë ka ardhur si pasojë e heqjes së masave kufizuese – njerëzit udhëtojnë më shumë dhe grumbullohen më shumë, thotë ajo.

“Mbajtja e maskave në ambientet e mbyllura duhet të jetë obligative”, ashtu si edhe vaksinimi kundër koronavirusit, thotë Mulliqi-Osmani për REL-in.

Vendimin e fundit për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë, Qeveria e Kosovës e ka marrë më 30 prill, duke hequr shumicën e masave kufizuese, si mbajtjen e maskave apo orarin e shkurtuar të gastronomisë.

Me këtë vendim kërkohet vetëm nga punonjësit e institucioneve publike dhe private që të posedojnë certifikatën e vaksinimit me së paku dy doza, ndërsa veshja e maskës dhe mbajtja e distancës fizike janë rekomandime.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndërkaq, janë shtuar thirrjet për bartjen e maskave në ambiente të mbyllura, si dhe për vaksinim.

“Pandemia nuk ka përfunduar”, kujton IKSHPK-ja përmes një postimi në Facebook.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se vaksina ka mjaftueshëm dhe se vaksinimi mund të bëhet në çdo komunë të Kosovës.

Deri më tash, mbi 820,000 persona kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit, që i bie më pak se gjysma e popullsisë së përgjithshme.

Me tri doza, ndërkaq, janë vaksinuar mbi 103,000 veta.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndërkaq, janë shtuar thirrjet për bartjen e maskave në ambiente të mbyllura, si dhe për vaksinim.

“Pandemia nuk ka përfunduar”, kujton IKSHPK-ja përmes një postimi në Facebook.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se vaksina ka mjaftueshëm dhe se vaksinimi mund të bëhet në çdo komunë të Kosovës.

Deri më tash, mbi 820,000 persona kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit, që i bie më pak se gjysma e popullsisë së përgjithshme.

Me tri doza, ndërkaq, janë vaksinuar mbi 103,000 veta.

Në Shqipëri, numri i rasteve në gjysmën e dytë të qershorit është rritur për 370 për qind, krahasuar me dy javët e para të atij muaji.

Në Mal të Zi, kjo shifër qëndron në 132%, në Bosnje e Hercegovinë 114%, në Kroaci 94%, në Serbi 88%, në Maqedoni të Veriut 45%.