Sermaxhaj: Nuk jemi nivel i Premierligës, Llapi ka bërë veprim jo të mirë për rinisjen e stërvitjeve!

 Sermaxhaj: Nuk jemi nivel i Premierligës, Llapi ka bërë veprim jo të mirë për rinisjen e stërvitjeve!

Skuadra e Llapit sot ka nisur stërvitjet, pa marrë parasysh që Ministria e Sportit dhe Shëndetësisë akoma nuk ka dhënë leje që një gjë e tillë të aplikohet nga skuadrat sportive në vendin tonë.Batatina sot e ka konfirmuar për “GazetaSheshi” që skuadra e tij ka filluar të stërvitet në grupe të vogla, duke theksuar se ka marrë masat e nevojshme për të parandaluar rrezikun që mund t’i kanoset.Ish lojtari i njohur kosovar, tashmë trajner dhe analist, Genc Sermaxhaj e quan të ngutshëm dhe shumë të rrezikshëm – hapin e bërë nga skuadra e Tahir Batatinës.

Ai thotë se ky është një veprim jo i mirë – pasi rreziku është i madh.
“Një veprim jo i mirë në këtë kohë për një ekip që të marr vendim për të dal në stervitje, e aq më pak pa marrë leje nga institucionet. Së pari duhet respektuar vendimet e qeverisë, sepse janë ata që deri më tani niveli i të prekurve me Covid në vendin tonë është duke u menaxhuar shumë mirë”, tha fillimisht Sermaxhaj për GazetaBlic Sport.

Ai më pas thekson se rreziku nga këto stërvitje mund të jetë i madh, pasi sipas tij ne akoma nuk jemi nivel i Bundesligës e as i Premierligës.“Pavarësisht stërvitjeve në grupe dhe kujdesit të veçantë që patjeter do duhej të behet, masat tjera shtesë për teste eventuale e gjëra tjera nuk i kanë siguruar, prandaj nuk është e sigurt rinisja e stervitjeve madje as në grupe. Ne nuk jemi nivel i Bundesligës e Premierligës për të rifilluar stërvitjet pa marrë leje nga personat zyrtar të Qeverisë. Perveç kësaj ende nuk është bërë ndonjë vlerësim se nëse fillohen stervitjet në grupe nuk mund të jemi të rrezikuar nga virusi”, vazhdoi Sermaxhaj.Në fund, Sermaxhaj theksoi se të gjithëve po na mungon futbolli, por prioritet duhet të jetë jeta e njerëzve.

“Nuk është hera e parë qe Llapi insiston për rifillim të stërvitjeve. Të gjithë duam të rikthehemi sepse po na mungon futbolli, por duhet kujdes sepse jetët e njerëzve janë më të rëndësishme. Sikur të merrej leja nga Ministria e Shëndetesisë, atëherë pse mos t’ia fillojnë edhe ekipet tjera, madje te tjerat kane më shumë arsye për të filluar, sepse janë më afër titullit, ndërsa Llapi është pak larg dhe ky insistim për rikthim në stervitje duket diçka e pa-logjikshme. Rreziku me Covid është ende aktiv në vendin tonë dhe kemi prit deri tash, po presim edhe pak për rikthim të sigurtë, sepse mund të shtojme rrezikun më pas edhe te krejt anulimi i kampionatit”, përfundoi ai.

LAJME TË TJERA