Shkatërrohet murali i Gjokoviqit në Rahovec

Një mural kushtuar tenistit serb, Novak Gjokoviq, është shkatërruar mbrëmë në Rahovec. Përpos prishjes së figurës së tenistit serb, mbishkrime të UÇK-së janë vendosur pranë tij.

E gjithë kjo vjen pas mbishkrimit të tenistit serb mbrëmë në turneun e tenisit “Roland Garros”. Gjokoviq shkroi: “Kosova është zemra e Serbisë. Ndalojeni dhunën”, duke ngjallur reagime të shumta në opinion.

Murali i Gjokoviqit i pikturuar në Rahovec në një shtëpi serbe, është shkatërruar mbrëmë gjatë natës. Pranë tij janë vendosur edhe mbishkrime “UÇK”.

Pikturimi i muralit të tenistit serb ishte pjesë e projektit “Ngjyra në ajër”, të cilin e ka realizuar organizata “Amici di Decani”.

Kjo nuk është hera e parë që murali i tenistit serb shkatërrohet. Ai ishte shkatërruar edhe gjatë muajit shkurt kur ishte lyer me bojë të bardhë.

Gjokoviq ka ngjallur reagime të shumta me deklaratën e tij lidhur me tensionet në veri të Kosovës.

Përpos mbishkrimit në objektivin e kamerës mbrëmë, Gjokoviq kishte vazhduar me deklarata fyese edhe në deklarata për media pas ndeshjes.

“Unë nuk jam politikan dhe nuk kam ndërmend të futem në çështje politike, më dhemb si serb kur shoh se çfarë po ndodh në Kosovë, si dëbohen njerëzit tanë. Ndjehem përgjegjës si personazh publik, si djali i nje burre qe ka lindur ne Kosove kam nje pergjegjesi shtese nuk e di se cfare ka te ardhme per Serbine dhe Kosoven por me e rendesishme eshte te tregohet harmoni.Kishte shume vërejtje nga gazetarët ndërkombëtarë nuk kam shqetësohet ta bëj përsëri, ndoshta do të më ndëshkojnë”, kishte deklaruar Gjokoviq.

Lidhur me mbishkrimet e tij kanë reaguar edhe komiteti sportiv në Kosovë. Komiteti Olimpik i Kosovës ka dorëzuar sot ankesë lidhur me mbishkrimin fyes në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Ndërkaq, Federata Franceze e Tenisit ka vendosur mos ta dënojë tenistin serb, kjo për shkak se sipas tyre nuk ka rregulla specifike që e përshkruajnë një veprim të tillë.