Shtyhen zgjedhjet në Podujevë

 Shtyhen zgjedhjet në Podujevë

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës janë shtyrë shkaku i gjendjes së krijuar me koronavirusin dhe data e mbajtjes së tyre do të përcaktohet me vonë, është vendosur të shtunën.

Vendimi i marrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është bërë i ditur përmes një njoftimi të shpërndarë nga Presidenca.

Në këtë njoftim shkruan se Thaçi ka marrë vendim për shtyrje, pas pranimit të rekomandimit nga Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

“Presidenti i Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendim për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës”, shkruan në njoftim, teksa precizohen nenet në të cilat mbështetet vendimi.

Jo shumë kohë para marrjes së këtij vendimi, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse i kishin rekomanduar KQZ-së pezullimin e përkohshëm të zgjedhjeve në Podujevë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës ishin paraparë të mbaheshin të dielen. Në garë janë kandidatët e tre partive politike, të LVV-së, LDK-së dhe PDK-së.

LAJME TË TJERA