Faqja jonë përdorë "cookies". Në momentin që pranoni këtë, pajtoheni me kushtet e përdorimit të portalit 07 Press. 

Stuhi shiu, reshje bore dhe temperatura nën zero, ja çfarë na sjellë moti këtë javë (Harta)

Gjatë kësaj jave vendi ynë do të mbetet kryesisht nën ndikimin e zonave të paqëndrueshme atmosferike si dhe të masave më të ftohta ajrore.

Si rrjedhojë, cikloni i fuqishëm që solli përmbytje në vend dhe rajon, me ç’rast gjeten vdekjen 2 persona në Shqipëri, gjatë ditës së sotme do të lëvizë drejt Rusisë.

Po ashtu, nga veriu i kontinentit kanë depërtuar tashmë masat e ftohta, ku përpos reshjeve të shiut, lokalisht intensive, ato ka mundësi të përzihen apo edhe shndërrohen në ato të borës në ultësira, veçanërisht në veri dhe verilindje të vendit, përkatësisht në rajonin e Podujevës. Në zonat më të larta malore priten reshje bore.

Nga dita e Martë, pas mëngjesit mjaft të ftohtë, ku mund të regjistrohen edhe vlera negative në zona të veçanta, gjatë ditës pritet një ngritje e lehtë e temperaturave në krahasim me ato të ditës së Hënë. Në ndërkohë sërish pritet depërtimi i një cikloni të ri nga Oqeani Atlantik.

Mëngjesi do të karakterizohet me vranësira dhe intervale kthjellimesh në orët e mëngjesit, ku pritet edhe formimi i mjegullës nëpër lugina dhe ultësira. Po në mëngjes, pritet menjëherë shtim i vranësirave, të cilat gjatë ditës do të gjenerojnë reshje shiu, fillimisht në perëndim të vendit, ndërsa në orët vijuese të pasdites dhe mbrëmjes pritet të shtrihen në të gjithë territorin e Kosovës.

Reshjet sërish parashihet të jenë intensive, kohë pas kohe në formë të rrebesheve të vazhdueshme, të cilat ka mundësi të shoqërohen edhe me shkarkesa rrufesh. Gjendja më e rënduar parashihet të jetë prapë në Rrafshin e Dukagjinit, sidomos në ato zona të cilat janë përmbytur tashmë, me ç’rast priten përmbytje masive!

Një tjetër problem kyç gjatë së Martës, sidomos në orët e mbrëmjes, do të jetë edhe fuqizimi në parametrin e erës nga kuadrati i juglindjes, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi deri në 65 km/h!

Të Mërkurën dhe të Enjten moti do të karakterizohet me vranësira dhe intervale me diell, ku kohë pas kohe priten reshje lokale shiu, të cilat në momente të caktuara do të jenë në formë të rrebesheve afatshkurtër.

Të Premten dhe të Shtunën do të mbajë mot me intervale më të gjata me diell por i ftohtë. Mëngjesi pritet të jetë në vlera negative në pjesën dërrmuese të vendit, ndërsa ditën do të shënojnë ngritje të lehtë.

Të Dielën sërish pritet të depërtojë një ciklon i ri, i cili në kombinim me masat e ftohta pritet të sjellë edhe reshjet e para të borës në ultësira në pjesën dërrmuese të vendit.

Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, veçanërisht të Martën, me shpejtësi prej 15-65 km/h!

Temperaturat minimale do të lëvizin prej -2 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 3 deri në 13°C.

Për çdo ndryshim eventual ju ftojmë t’i ndiqni informatat tona në platformën më të saktë në Republikën e Kosovës! /MeteoKosova/