Të enjten shqyrtohet Projektligji për Trustin

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se të enjten në Kuvendin e Kosovës do të shqyrtohet në lexim të parë Projektligji për Trustin.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e mbledhur të hënën, ka vendosur që ky projektligj të shqyrtohet në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës këtë vit, ka thënë Tahiri para gazetarëve të hënën.

Ai ka thënë se ky projektligj iu mundëson qytetarëve tërheqjen e mjeteve të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale.

“Qytetarët e Kosovës po presin tash e një kohë të gjatë që projektligji për trustin, i cili u mundëson qytetarëve tërheqjen e 10 deri në 30 për qind të kursimeve të tyre. Pra, ky projektligj do të jetë si pikë e rendit të ditës në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës për këtë vit”, tha ai.

Tahiri tha se shpreson që projektligji të marrë mbështetje nga partitë e tjera parlamentare, përfshirë shumicën parlamentare.