‘Të qortuar’ nga Kosova, ‘të kërcënuar’ nga Serbia: A janë në zor serbët e rëndomtë të Kosovës në veri?

Është e mundshme që tensionet në veri të kenë prekur më drejtpërdrejtshëm vetë qytetarët serbë të Kosovës se sa analistët shqiptarë të studiove televizive që flasin vazhdimisht dhe shpesh pakujdesshëm për këtë temë. Madje edhe serbët lojalë ndaj shtetit të Kosovës duken aktualisht të harruar në diskursin politik shqiptar. Por, kjo harresë mund t’i kushtojë shtetit më të ri në Evropë.

Qytetarët serbë të cilët kanë targa ilegale vazhdojnë të qortohen nga ana e zyrtarëve policorë të Kosovës. Në tjetrën anë, disa prej atyre që i hoqën targat ilegale e pësuan me djegie të veturave nga persona të paidentifikuar.

Rreth 20 qytetarë i ndërruan targat. Dhe të paktën gjashtë prej tyre e pësuan me djegie të veturave. Probabiliteti që nëse ndërron targat ilegale të të digjet vetura është shumë shumë i lartë.

Në anën tjetër, deri tash asnjë zjarrvënës nuk është zënë nga autoritetet tona, gjë që pashmangshëm rrit pasigurinë mes tyre. Por, edhe të tjera gjëra kanë ndodhur.

Miodragu
Më 14 nëntor, rreth orës 09:30 të mëngjesit, aktivisti i shoqërisë civile Miodrag Milliqeviq u ndalua nga pjesëtarë të Njësisë Speciale të Kosovës sipas organizatës që drejton “Aktiv”.

Ata pretendojnë se Milliqeviq është ndarë nga kolona dhe gjatë marrjes në pyetje “nga një pjesëtar i njësisë në fjalë është goditur në bark”. Organizata shton se ai i është nënshtruar edhe abuzimeve verbale.

Miodrag Milliqeviq si aktivist i shoqërisë civile ka qenë mjaft kritik ndaj Listës Serbe. Ndërkohë, deri tash Policia e ka mohuar se një gjë e tillë ka ndodhur.

Xhelali
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë në një adresim në Facebook për këtë rast se ka kërkuar “raport nga zyrtarët policorë të kufirit dhe hetim të këtyre pretendimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës”.

Inspektorati i konfirmoi gazetës Nacionale se kishte nisur “hetimet preliminare” me kërkesë të Ministrisë së drejtuar nga z. Sveçla.

“Mund të ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare dhe kërkesës nga Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar një hetim preliminar për të verifikuar pretendimet e ankuesit.”

Ministri Sveçla në po të njëjtin reagim megjithatë ka thënë se pas vizitave të shpeshta në veri “ishte bindur me sjelljen shembullore të zyrtarëve policorë”.

Në një adresim ku tregonte se 578 zyrtarë policorë kishin dhënë dorëheqje, Sveçla e kishte pranuar se kjo kishte ardhur pas”kërcënimeve dhe shantazheve” që rrezikonin vetë jetën e tyre. Ai përmendi mes tyre kishte pasur shumë zyrtarë policorë serbë të sinqertë e që ishin lojalë për shtetin e Kosovës.

Aleksandri
Pretendimet e aktivistit Milliqeviq i ka mbrojtur edhe një politikan i ri kundërshtar i Listës Serbe, Aleksandër Arsenijeviq.

Ai i tha Nacionales se Miodragu është “njeri serioz me integritet që nuk gënjen për këto gjëra.”

“Ai është një njeri serioz me integritet, ai nuk do të gënjejë kur bëhet fjalë për këtë. Ai më tha se u larguar me lëndime të lehta dhe se gjithçka ishte e tmerrshme dhe mund të ishte më keq” – na tha z. Arsenijeviq.

Pas largimit të zyrtarëve nga institucionet, Arsenijeviq ka shprehur kritika edhe në lidhje me një situatë të mundshme në të cilën shumë familje do të mbesnin pa asnjë rrogë derisa të tjerë (kryesisht politikanë të Listës Serbe) do të merrnin rroga të mira edhe nga Beogradi.

Stefani
Një tjetër kritik i Listës Serbe, Stefan Veljkoviq, po ashtu ka mbrojtur z. Milliqeviq në pretendimet e tij derisa ka thënë që “një tjetër vozitësi i ishte hequr kryqi nga pasqyra e xhamit të përparmë.”

Ai ka pretenduar se zyrtarët policorë të Kosovës “ngacmojnë qytetarët çdo ditë dhe e bëjnë jetën tonë të padurueshme”.

Ai akuzoi Listën Serbe se nuk kishte plan se si të dilte nga situata pas largimit masiv të qytetarëve nga institucionet e Kosovës.

Nacionale nuk ka mundur të verifikojë deri në këtë moment incidentin e përmendur nga z. Veljkoviq.

Gorani
Grupet kriminale në veri mund të kenë forcuar pushtetin e tyre në veri të Kosovës pas daljes masive të zyrtarëve serbë nga institucionet tona.

Ky veprim u pa gjithandej si i dirigjuar nga Beogradi zyrtar, megjithëse ishte lajmëruar nga Lista Serbe dhe kryetari i saj Goran Rakiq.

Lista Serbe ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e caktuara më 18 dhjetor për katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ndërkohë që situata me targat dhe tensionet mund të përkeqësohen pas datës 21 nëntor me nisjen e fazës së gjobave.

Politikanët e Listës Serbe janë treguar të papërgjegjshëm në deklarimet e tyre publike por edhe në veprimet që kanë bërë së fundi. Megjithatë, e gjithë kjo situatë në veri duket se ka përforcuar pushtetin e tyre politik që dukej në rënie e sipër.

Albini
Kryeministri Albin Kurti për tensionet në veri të vendit ka akuzuar Serbinë, duke thënë se kishte për motiv “maskimin e refuzimit të planit franko-gjerman”. Por, jo të gjithë janë të bindur në fjalët e tij. ShBA dhe BE vazhdojnë të ngulmojnë në shtyrjen e afatit për targat, me trysninë që duket se është në rritje.

Kurti ka lënë përshtypje të mirë me anë të disa adresimeve që iu ka bërë serbëve të vendit në gjuhën serbe. Ai kishte premtuar madje edhe dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, para se të nisej për në Bruksel për të negociuar me Serbinë. Fatkeqësisht, kjo e fundit nuk kishte ndodhur.

Kryeministri ka shprehur vazhdimisht bindjen se mposhtja e bandave kriminale në veri do të ofronte sigurinë e munguar për serbët në veri të vendit. Por, ai nuk ka adresuar mungesën e ndëshkimeve për personat që kanë kërcënuar e terrorizuar serbët që konsiderohen si lojalë ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, analisti Shkëlzen Maliqi ka pasur edhe të tjera fjalë për gjithë atë që po ndodh. Ai ka pretenduar se ka zëra që thonë se Vuçiq dhe Kurti kanë bërë “marrëveshje të heshtur” dhe se e gjithë çështja e targave mund të jetë “dramë artificiale”.

Por, sado artificiale që të jetë, ‘drama’ ka ndikur në jetët e përditshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Duhet përmendur se mes nënshkruesve të një shënimi proteste me rastin e pretenduar të rrahjes së z. Milliqeviq ka pasur edhe aktivistë shqiptarë, siç ishte profesoresha Vjollca Krasniqi e aktivisti Valon Arifi./Nacionale.com