Tentim-vrasje në Skënderaj, 8 plumba drejt një veture

Një rast gjuajtje me armë u regjistrua mesnatën e mbrëmshme në Skënderaj.

“Jepi zë” ka marrë vesh se aty u shkrepën 8 plumba në drejtim të një veture nga një person i dyshimtë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Policia, personat e përfshirë së pari ishin rrahur, e më pas edhe kanë gjuajtur me armë.

Zëdhënësja e Policisë në Mitrovicë, Fexhrije Pllana, e ka konfirmuar rastin.

“Sot me date 04.07.2022 rreth ores 01:30 eshte raportuar se sa ka qene nje automjet ne levizje eshte sulmuar me arme zjarri nga persona te panjohur. Pas nje pune policore eshte arritur te identifikohet dhe te arrestohet personi i dyshuar, ku si prove materiale eshte konfiskuar nje arme, nje karikator i zbrazur dhe 8 gezhoja, me urdher te prokurorit ju ka caktuar masa ndalimit policor per 48 ore, dhe ndaj tij eshte iniciuar rasti vrasje ne tentative”, ka thënë Pllana për “Jepi zë”.

Portali ka mësuar se personi i dyshuar është 31 vjeçar me iniciale A.J.

Siç shihet edhe nga fotografia që ka siguruar “Jepi zë”, aty shihen shenjat e Policisë të cilët kanë gjetur si prova gëzhojat e plumbave.

Sipas fotografisë, shihet se ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e rrugës ” 30 Dhjetori” dhe një rruge tjetër.

Deri tash nuk dihen detajet e as motivet, por dyshohet se të përfshirët janë familjarë dhe ishin kapur për pronë.