Tentoi ta vriste bashkëshorten me thikë, dënohet me 7 vjet burgim

Muhamet Juniku është dënuar me 7 vite burgim, pasi është gjetur fajtor se në mars të vitit 2021, në Gjakovë, kishte tentuar ta privojë nga jeta ish-bashkëshorten e tij.

Ai ngarkohet se kishte tentuar ta vrasë gruan e tij duke e therur tetë herë me thikë, në prezencë të fëmijëve të tyre të mitur.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Drilon Haraçia.

Sipas gjykatësit, në dënimin e shqiptuar të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, si dhe i është vazhduar paraburgimi.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Gjykata ka konfiskuar edhe thikën që është përdorur si mjet për kryerjen e veprës penale.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Muhamet Juniku me 31 mars 2021, në parkun e qytetit në Gjakovë me dashja ka tentuar ta privojë nga jeta të bashkëshorten e tij, R.J.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që për shkak të problemeve të mëparshme xhelozie dhe po ashtu të disa rasteve të dhunës në familje që i akuzuari ia ka shkaktuar të dëmtuarës, i njëjti sapo e vëren të dëmtuarën tek vendi i lartcekur e përcjell pas e i afrohet, e kap për fyti me dorën e djathtë, ndërsa me dorën e majtë e nxjerrë thikën nga xhepi, e në prezencën e fëmijëve të moshës 2 dhe 4 vjeç, duke bërtitur “Allahu Ekber” e therë 8 herë me thikë, fillimisht në qafë, ku e dëmtuara bie për tokë dhe tenton të mbrohet me duar, i akuzuari vazhdon duke e therur edhe disa herë në gjoks, brinjë si dhe prapë në drejtim të qafës.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Kjo vepër dënohet jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, ndërsa në nenin 28 thuhet personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, mirëpo dënimi mund të zbutet./BetimipërDrejtësi