Tom Holland thotë se “Cherry” është filmi më i mirë i karrierës së tij

 Tom Holland thotë se “Cherry” është filmi më i mirë i karrierës së tij

Aktori 23 vjeçar, Tom Holland, i cili më së miri njihet për rolin e protagonistit në filmat “Spider-Man”, e luan rolin kryesorë në dramën e re kriminalistike “Cherry”, që e shënon edhe bashkëpunimin e tij të radhës me regjisorët e filmit “Avengers: Infinity War”, Joe dhe Anthony Russo.

Në një deklaratë të fundit, Holland ka thënë se mendon që puna në këtë projekt, është më e mira në karrierën e tij.

“Vëllezërit Russo e kanë bërë një punë të mrekullueshme në largimin e tyre nga universi i Marvelit, dhe duke e hapur një kapitull të ri në karrierën e tyre. Jam shumë i lumtur që në këtë rrugëtim më kanë përfshirë edhe mua. Kur ta shikoni filmin ‘Cherry’ do të shokoheni me transformimin tim,” ka deklaruar aktori.

Filmi bazohet në romanin me të njëjtin emër të autorit Nico Walker, dhe në të Holland e luan rolin e një të riu i cili vendos të shërbejë si mjek në ushtri. Ai shërben për një vit në Irak, ku edhe kalon nëpër situate të vështira. Pas kthimit në shtëpi, ai diagnostikohet me PTSD si dhe fillon të abuzojë me drogat qetësuese. Nga këtu, jeta e tij merr një kahe të gabuar. Ai fillon të vjedhë banka dhe përfundimisht përfundon prapa grilave.

Në filmin “Cherry” po ashtu luajnë aktorët, Ciara Bravo, Bill Skarsgard dhe Jack Reynor, ndërsa ende nuk dihet ndonjë datë e lansimit të tij nëpër kinema.

LAJME TË TJERA