Tragjedi në Gjakovë, një person e vret me thikë burrin e kushërirës

 Tragjedi në Gjakovë, një person e vret me thikë burrin e kushërirës

Një tragjedi ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bardhaniq të Gjakovës.

Një shtetas i Shqipërisë dyshohet se e ka vrarë duke e therur me thikë burrin e kushërirës së tij. Ndërkaq, janë sulmuar me thikë dhe kanë mbetur të plagosur edhe gruaja dhe djali i viktimës, raporton Gazeta Sinjali.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj, ndërsa detaje për tragjedinë ka dhënë drejtori i Policisë së këtij rajoni, Lumni Graishta.

“Rreth orës 03:00 të datës 07.07.2020 Policia në Gjakovë është informuar për një rast vrasje në fshatin Bardhaniq. Të gjitha njësitet relevante si njësitet patrulluese, hetuesia, forenzika, prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor i janë përgjigj vendit të ngjarjes. Mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës ndërsa dy personave tjerë iu është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore”, deklaroi Graishta.

Ai tha se sipas informatava të para, i dyshuari I.V., shtetas i Shqipërisë, e ka sulmuar me thikë mikun e tij, gruan dhe djalin e viktimës, e më pas është arratisur.

“Sipas informatave të para, i dyshuari V.I. mashkull, shtetas i Republikës së Shqipërisë ka sulmuar me thikë mikun e tij (viktimën), gruan dhe djalin e tij, pas të cilit akt i dyshuari është arratisur”, ka thënë Graishta.
Por, policia ka arritur ta gjejë të dyshuarin.

“Të dhënat e personit të dyshuar i janë përcjellë të gjitha njësiteve policore dhe rreth orës 07:00 i njëjti është arrestuar nga Stacioni Policor në Deçan. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i dyshuari është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Graishta.

Graishta bëri të ditur se djali i viktimës është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, pasi gjendja e tij shëndetësore është më e rëndë.

“I lënduari tjetër (djali i viktimës) për shkak të plagëve të rënda është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në bashkëpunim me prokurorin e shtetit vepra është cilësuar si “Vrasje e Rëndë”. Hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë nën mbikëqyrje të afërt të prokurorit të shtetit”, ka deklaruar Graishta.

LAJME TË TJERA