Faqja jonë përdorë "cookies". Në momentin që pranoni këtë, pajtoheni me kushtet e përdorimit të portalit 07 Press. 

Tri forume për katër-pesë ditë, Paris-Vjenë-Stutgart: Çka po bën kryeministri Kurti?

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Shtutgart të Gjermanisë për të marrë pjesë në një forum tjetër. Ai paraprakisht ishte në Forumin e Vjenës dhe atë të Parisit. Pse kaq i dhënë pas forumeve kryeministri i Kosovës?

Ish ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kritikohej vazhdimisht për udhëtimet e shpeshta e të pafrytshme. Por, “elefanti në dhomë”, kryeministri Kurti në fakt po bënte udhëtime edhe më të shpeshta se ish vartësi i tij.

Kurti ka marrë pjesë në shumë simpoziume, varrime, samite, forume, darka, konferenca etj. të cilave nuk dihet nëse ia ka parë hairin Republika e Kosovës.

Veçanërisht të bujshme kishin qenë udhëtimet si vijon: pjesëmarrja në varrimin e ish kryeministrit të vrarë japonez Shinzo Abe në Tokio të Japonisë; udhëtimi në Osllo të Norvegjisë prej 20 deri më 22 gusht; udhëtimi në Bruksel prej 17 deri më 20 gusht; udhëtimi drejt ShBA-ve për nënshkrimin e marrëveshjes për energjinë me MCC-në më 25 korrik; udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar; udhëtimi në Bratisllavë për të marrë pjesë në forumin GLOBSEC etj.

Po ashtu, interesante kishte qenë edhe pjesëmarrja e tij në një simpozium e një forum në Greqi.

Tri forume për më pak se një javë
Forumi i Paqes në Paris nuk mund të thuhet se ishte i parëndësishëm. Ai aty takoi presidentin francez Emmanuel Macron, dhe parashihej që të takonte “ndoshta” (siç u shpreh) edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin.

Megjithatë, pas Parisit ai udhëtoi në Vjenë për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku mbante ligjëratë mbi “menaxhimin e sfidave nën presionin e realitetit”.

Kurti në atë forum foli përsëri për rritjen ekonomike të Kosovës, përkundër kritikave ndaj qeverisë së tij për mënyrën se si është ballafaquar situata me inflacionin. Në panelin e forumit ku po fliste Kurti nuk kishte kryeministra apo ministra nga shtetet fqinje. Ishte një këshilltar i kryeministrit nga Mali i Zi (Gjorgje Raduloviq) dhe një kryetar i Odës Ekonomike nga Maqedonia (Branko Azeski).

Për një gjë të tillë ai është kritikuar edhe nga ish bashkëpartiaku Afrim Kasolli.

“Kjo është degradim i pozitës së kryeministrit që pranon të bëhet palë me këtë nivel të përfaqësimin me shtetet fqinje. Kështu është kur pushtohesh nga mania për t’u shfaqur si ligjërues kudo që të ofrohet mundësia.”

Ku po shkon tash?
Zyra e Kryeministrit njoftoi se po shkon në Shtutgart të Gjermanisë. Ai do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik “Global Connect 2022”.

Aty do të ketë takime të ndryshme të ekspozuesve gjermanë por edhe ndërkombëtarë sa i përket inxhinierisë, patundshmërisë, teknologjisë etj.

Nuk dihet nëse pas pjesëmarrjes në kaq shumë forume, simpoziume e samite qëndron ndonjë strategji e z. Kurti. Ajo që dihet është se kryeministri i Kosovës vazhdimisht po përsërit fjalët mbi rritjen ekonomike të vendit dhe mbi punët e mira që sipas tij po i bën qeveria e Kosovës.

Duhet të kujtojmë se Kurti po përballet me trysni ndërkombëtare për shtyrjen e afatit për targa kohët e fundit nga partnerët e Kosovës pas vendimit të zyrtarëve serbë për largim masiv nga institucionet e vendit./Nacionale