Trinjakët e porsalindur rezultojnë pozitivë në testin për koronavirus

 Trinjakët e porsalindur rezultojnë pozitivë në testin për koronavirus

Trinjakët e porsalindur në Meksikë kanë dalë pozitivë për coronavirus, sipas autoriteteve shëndetësore lokale.

Ekspertët mjekësorë janë duke hulumtuar nëse foshnjat e kanë marrë virusin përmes placentës së nënës gjatë shtatzënisë, shkruan “BBC”.

Dy nga foshnjat – një djalë dhe një vajzë – janë në gjendje stabile në një spital të rajonit San Luis Potosi. Megjithatë, një djalë tjetër është duke marrë trajtim për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Një zëdhënës i Komisionit për Siguri në Shëndetësi tha se përhapja e infeksionit në lindje të shumëfishta nuk është vërejtur askund në botë dhe prandaj rasti do të hetohet.

Një numër shumë i vogël i foshnjave të porsalindura kanë dalë pozitive për coronavirus pas lindjes, por zyrtarët shëndetësorë thonë se ata nuk besojnë që trinjakët janë infektuar në këtë mënyrë.

Sekretarja shtetërore e Shëndetësisë, Monica Liliana Ranger Martinez, tha: “Do të ishte e pamundshme që ata të infektohen në momentin e lindjes.”

Megjithatë, prindërit e tyre do të testohen, sepse autoritetet thonë se nëna dhe babai i trinjakëve kanë mundur të jenë të infektuar pa simptoma.

LAJME TË TJERA