U paralajmërua ulja e pagave në sektorin publik, vjen lajmi i fundit nga Qeveria

 U paralajmërua ulja e pagave në sektorin publik, vjen lajmi i fundit nga Qeveria

Nuk do të ketë ulje të pagave për punonjësit e sektorit publik në Kosovë.

Tash e disa muaj, nga zyrtarë të Ministrisë së Financave është paralajmëruar ulja e pagave në sektorin publik, shkaku i situatës me pandeminë.

Por, sot në një konferencë për media, kryeministri Avdullah Hoti ka bërë me dije se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Nuk do t’i prekim pagat në sektorin publik, për shkak se është ndërtuar një kornizë e qëndrueshme e buxhetit”, ka deklaruar Hoti.

Ndryshe, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ditë më parë kishte paralajmëruar uljen e pagave në sektorin publik.

Krasniqi kishte thënë se për të shpëtuar sektorin privat në Kosovë, ai ka një ide tjetër, që nuk përjashton mundësinë e uljes së pagave në sektorin publik.

“Ne duhet tash të vendosim a duhet t’i zvogëlojmë shpenzimet në investime, a duhet t’i zvogëlojmë shpenzimet në subvencione e që nuk ka mundësi se janë të gjitha obligime ligjore.

A duhet t’i zvogëlojmë subvencionet dhe grantet në bujqësi, a duhet t’i zvogëlojmë investimet publike apo duhet t’i zvogëlojmë edhe pagat.

Prandaj, në këto raporte nuk përjashtohet asnjë mundësi, po them edhe pagat, për arsye që në rast se i zvogëlojmë investimet ne do ta zvogëlojmë mundësinë e rritjes ekonomike, e kjo ndikon komplet edhe në sektorin privat.

Unë po e mirëkuptoj nga një herë edhe sektorin privat kur thonë se ju sektori publik nuk jeni prek prej pandemisë, sepse kanë të drejtë. Prandaj, është mirë më shpejt të intervenohet”, ka thënë Krasniqi.

LAJME TË TJERA