Ultrazërat e vjetëruar në QMF, pacientët detyrohen të drejtohen në klinika private

 Ultrazërat e vjetëruar në QMF, pacientët detyrohen të drejtohen në klinika private

Pacientët kërkojnë nga autoritetet drejtuese të shëndetësisë në Prishtinë që të investojnë në aparaturat e radiologjisë.

Problemet gjinekologjike te femrat janë të shumta dhe të shpeshta. Mostrajtimi adekuat i tyre mund të përcillet me probleme të ndryshme shëndetësore. Shërbimet gjinekologjike ofrohen në shumicën prej Qendrave të Mjekësive Familjare.

Për shkak të çmimit shumë të favorshëm pacientët drejtohen kryesisht në QMF, ku një kontroll me ultrazë kushton jo më shumë se 2 euro. Por, aparatura për identifikim të sëmundjeve po kritikohet nga qytetarët, shkruan lajmi.net.

E.B, qytetare nga Prishtina thotë se po shpenzon shuma të mëdha parash në ordinancat private për shkak se ultrazëri në QMF-në në lagjen “Dardania” në Prishtinë nuk ka pamje të qartë për të dalluar problemet që ajo ka me vezoret dhe mitrën.

Ajo thotë se në ordinancat private posedojnë ultrazëra që identifikon çdo problem, por se çmimet janë të larta.

“Në QMF-në e Dardanisë është një doktoreshë shumë e mirë e gjinekologjisë. Por, kontrollet me ultrazë janë pak problematike. Shkoj shpesh aty për të kontrolluar vezoret. Ndodhë që doktoresha më thotë eja nesër sepse nuk po mundem të shoh mirë se sa centimetra janë rritur vezoret. Bile në të shumtën e rasteve thotë se duhet të shkoj me barkun plot me ujë, pra të mos urinoj për një kohë, pasi identifikimi është më i lehtë. Aty e kanë një ultrazë me monitor sikur kompjuterët që kanë qenë para disa viteve”, thotë pacientja E.B.

Ajo kërkon nga autoritete kompetente që të investojnë në aparatura të radiologjisë, ngase thotë se gratë kanë probleme të shumta dhe po detyrohen të shkojnë në klinika private ku trajtimet po kushtojnë shtrenjtë. “Meqë ultrazërat janë të vjetër, kam filluar të shkoj në privat, por çmimet janë enerome. Doktorët që posedojnë ultrazë 3D e kanë çmimin 20 euro vetëm për një kontroll me të, ata me 4D e kanë çmimin nga 30 euro. Pastaj, ata caktojnë edhe shumë seanca tjera, ku çdo pacient duhet të bëjë edhe analiza që rekomandohet dhe përsëri pas disa ditëve nevojitet shikimi me ultrazë, e këto kanë kosto shumë të lartë”, shtoi tutje ajo.

Dr.Spec Rrezart Halili, i cili është ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit për QMF-të në Prishtinë, thotë se nuk kanë pranuar kërkesa për aparaturë që lidhen me klinikat gjinekologjike.

“Ne jemi menaxhment ata i bëjnë kërkesat, ne vetëm i aprovojmë. Deri më tani nuk na ka ardhur ndonjë kërkesë për 3D dhe 4D. Ne e QKMF e kemi radiologun që është shumë i mirë, ultrazërin abdominal e kemi blerë para 3 viteve, edhe a di çka thotë radiologu, thotë është shumë më i mirë i vjetri, sesa ky i riu. Kjo tash është çështje ekspertize, d.m.th nëse pacientët tanë nuk kanë ndonjë ankesë lidhur me diagnozat që jepen përmes këtyre ultrazërave as për neve nuk është problem, por nëse shihet e nevojshme për me i ngrit kapacitetet e tyre, atëherë po, konform mundësive buxhetore i blejmë edhe këto ultrazë, se nuk është që kemi kursyer për pajisje, sepse të parët jemi në Kosovës që jemi duke e bërë dixhitalizimin e mamografëve edhe rëntgenet i kemi digjital, d.m.th në të gjithë QMF-të. Kështu që edhe këtë nuk e shoh ndonjë telashe nëse kërkohet prej ekspertëve, specialistëve të gjinekologjisë, radiologjisë, këta që punojnë me ultrazë”, ka thënë ai.

Lajmi.net ka kontaktuar disa klinika gjinekologjike në Prishtinë, por doktorët nuk kanë pranuar të flasin zyrtarisht.

“Në treg ka lloj-lloj ultrazërash. Secili mjek qysh te sheh vetën edhe çfarë i përshtatet çmimi punon më të. Sot rezolucioni më i mirë është më i arsyeshëm, por edhe çmimi është më i lartë. Qëllimi është rezolucioni me qenë i mirë, 2D është i mirë, 3D e 4D është veç me pa ma bukur foton por 2D-ja është esenciale”, thotë njëri prej gjinekologëve që punon në kryeqytet në një ordinancë private.

Ai tregon se cilat janë problemet më të shpeshta të pacientëve. “Më së shumti vinë moshat e gjenerative që janë në kërkim të shtatzënisë, pastaj ka edhe të atilla që kanë inflamacione në organet gjenitale, infeksionet urinare etj. Pra kryesisht janë pacientë që kërkojnë për shtatzëni, kolposkopi, shërimi i qafës së mitrës, PAPA Test, strishot Vaginale, strishot Cervikale dhe aplikimi i Spirales”.

Në Prishtinë janë dhjetëra klinika private të gjinekologjisë dhe shumica prej mjekëve që punojnë në to, punojnë edhe në klinika gjinekologjike publike.

LAJME TË TJERA