Vidhet flamuri në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë, reagon MPJD-ja

 Vidhet flamuri në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë, reagon MPJD-ja

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka dënuar ashpër sulmin vandal ndaj Konsullatës së Republikës së Kosovës në Kopenhagë, Danimarkë.

Në njoftimin e kësaj ministrie thuhet se ky akt vandal ishte i organizuar.

“Objekti ku ndodhet Konsullata e Republikës së Kosovës në kryeqytetin danez është sulmuar të hënën, me ç’rast është hedhur dhe më pas edhe është vjedhur nga vandalët flamuri i Republikës së Kosovës.   Bazuar në vëzhgimin e situatës nga Konsulli i Kosovës në Kopenhagë, vandalizmi ishte i organizuar, pasi dorasit kishin me vete edhe mjetet e nevojshme per të kryer vandalizimin dhe për t’iu qasur flamurit”.

Konsullata e Kosovës ka njoftuar menjëherë Policinë daneze, ndërsa Ambasada e Republikës së Kosovës ka shkruar një Notë Verbale për autoritetet daneze dhe ka kërkuar që sa më shpejtë të identifikojë autorët e këtij vandalizimi dhe ata të dalin para drejtësisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konsideruar se “fakti që Kosova sulmohet në prezencën e saj diplomatike, dëshmon edhe njëherë se puna e institucioneve dhe misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës është pengesë për agjendat e dikujt”.

“Angazhimi ynë nuk do ndalojë, pavarësisht akteve të tilla vandale. Prandaj, si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, inkurajojmë të gjithë diplomatët që të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës së tyre, duke avancuar interesin e Republikës së Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj”.

LAJME TË TJERA