Vjedhje e rëndë në një shtëpi në Rahovec: Hajnat ‘avullojnë’ 10 mijë euro ‘kesh’ dhe ari në vlerë të 6 mijë €

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një shtëpi në rrugën “Vëllezërit Haradinaj” në Rahovec, ku hajnat kanë vjedhur para e gjësende në vlerë prej mijëra euro.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se vjedhja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe është denoncuar nga pronari i shtëpisë, i cili ka raportuar se hajnat kanë vjedhur 10 mijë euro para të gatshme.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, hajnat kanë “avulluar” edhe stoli të arit, që i gjetën në shtëpi e që kapin vlerën e rreth 6 mijë eurove.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.