VV-ja sot në shesh, paralajmëron mbledhjen e mbi 15 mijë personave

 VV-ja sot në shesh, paralajmëron mbledhjen e mbi 15 mijë personave

Lëvizja Vetëvendosje sot nga ora 17:00 ka paralajmëruar se do të mblidhet në shesh të Prishtinës.

Sipas partisë që udhëhiqet nga Albin Kurti, sot, me anë të këtij tubimi në shesh, do të festojnë Ditën e Çlirimit dhe të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

LVV-ja ka bërë të ditur se në shesh ka paraparë të dalin mbi 15 mijë persona.

“Me 12 qershor, në ditën e çlirimit të Kosovës, festojmë edhe ditëlindjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në 21 vjetorin e çlirimit dhe 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes do të mblidhemi së bashku në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, në orën 17:00, gjithnjë në përputhje me rekomandimet duke ruajtur distancën fizike”, kanë thënë LVV-ja.

Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, ditë më parë tha se në tubimin e sotëm do ta respektojnë distancën.

“Tubim publik paqësor, të premten, në sheshin “Skënderbeu”, në ora 17:00, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës e 15 vjetorin e formimit të VETËVENDOSJE!-s”, shkroi Kurti në Facebook.

Kreu i LVV-së ka theksuar se krahas tubimit do të vazhdojnë edhe me mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit “Duam Zgjedhje” anembanë Kosovës.

LAJME TË TJERA