Zyrtare: BE konfirmon vizitën e Lajçakut në Kosovë e Serbi – Flet për pjesëmarrjen e Grenellit në dialog

 Zyrtare: BE konfirmon vizitën e Lajçakut në Kosovë e Serbi – Flet për pjesëmarrjen e Grenellit në dialog

Bashkimi Evropian ka konfirmuar sot se emisari special për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak do të udhëtoj në rajon për t’u takuar me udhëheqësit në Prishtinë e Beograd.

Në një përgjigje për lajmi.net, nga Bashkimi Evropian kanë folur edhe për participimin e emisarit special të SHBA-ve, Richard Grenell, në një tavolinë të bisedimeve ku prezent është edhe Lajçak.

Mirosllav Lajçak, emisar i BE-së për dialogun me Serbinë do të udhëtojë në Prishtinë e Beograd për të takuar liderët e të dy vendeve, dhe për të nisur bashkërendimin për rifillimin e dialogut me Serbinë, shkruan lajmi.net.

Një gjë e tillë u raportua dje në nivel të burimeve diplomatike të mediave serbe, mirëpo sot, udhëtimin e Lajçakut në rajon e ka konfirmuar për lajmi.net Peter Stano, që është zëdhënës i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Joseph Borrell.

Stano për lajmi.net ka theksuar se Lajçak planifikon të udhëtojë në rajon për të parë homologët e tij personalisht në takime të drejtpërdrejta.

Udhëtimi ndonëse nuk ka datë të saktë, do të realizohet pas heqjes së tërësishme të kufizimeve aktuale të udhëtimeve, dhe pas vendosjes së lidhjeve të transportit.

“Miroslav Lajcak planifikon të udhëtojë në rajon për të parë homologët e tij personalisht menjëherë kur të hiqen kufizimet aktuale të udhëtimit dhe të rivendosen lidhjet e transportit. Takimet personale janë mënyra më e mirë në të cilën funksionon diplomacia dhe janë pjesë e punës së përditshme të çdo diplomati dhe përfaqësuesi të BE-së”, ka thënë Stano për lajmi.net.

Lajmi.net është interesuar në Bashkimin Evropian edhe për çështjen e pjesëmarrjes së Richard Grenell, përfaqësues i SHBA-ve në dialog, në një tavolinë bashkë me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Në pyetjen direkte se a do të ftohet edhe Grenell në një tavolinë të bisedimeve ku është edhe Lajçak, Stano ka thënë se i takon Prishtinës dhe Beogradit të vendosin për këtë.

“Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është i udhëhequr nga BE. U takon palëve (kjo do të thotë që Beogradi dhe Prishtina) të bien dakord bashkërisht për një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të partnerëve në bisedimet e dialogut të lehtësuar nga BE”, ka thënë Stano në fund.

Ndryshe, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të tash e një kohë kanë kërkuar rifillim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe heqjen e pengesave për këtë proces.

Kjo përfshinë edhe heqjen e reciprocitetit të vënë nga qeveria Kurti, dhe zgjerimin e masave të këtij vendimi që u ndërmorrën javën e kaluar.

Tashmë kryeministri i ri i vendit, Avdullah Hoti, duke u zotuar për miqësi të mirë me SHBA-të dhe BE-së, ka premtuar se do të marrë përgjegjësi për dialogun, e që përfshin edhe realizimin e kërkesës për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

LAJME TË TJERA