E konfirmuar: Me 30 janar, “FES” prezanton Draft-Statutin e Asociacionit

Dega në Kosovë e Fondacionit gjerman ‘Friedrich Ebert-Stiftung’ përmes një ftese dërguar teve1.info, ka konfirmuar se më 30 janar do të prezantohet dhe diskutohet rezultati i punës së tyre dhe Institutit Evropian për Paqe, për draft-statutin e “Asociacionit të Komunave në Republikën e Kosovës në të cilin komuniteti i serbëve të Kosovës janë shumicë”.

Emërtimi zyrtar i njohur për këtë bashkësi ka qenë “Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe”.

Ky Institut në agjendën dërguar portalit, ka bërë të ditur se në këtë ngjarje që do të mbahet në njërin prej hoteleve të Prishtinës diskutimi do të nisë me fjalën hyrëse, do të vazhdojë me prezantimin e procesit të draftimit, elementeve kyçe të draftit, për të vazhduar me diskutim të hapur dhe konkluzionet.

FES ka bërë të ditur se deri te ky draft kanë ardhur pas konsultimeve me akterë të ndryshëm.

“Vitin e kaluar, ne bashkuam forcat me Institutin Evropian të Paqes (EIP) dhe organizuam një seri të përbashkët të punëtorive në vitin 2022 mbi çështjet e pazgjidhura të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëpërmjet këtyre punëtorive kemi diskutuar dhe trajtuar çështjet dhe sfidat më urgjente lidhur me zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila i ka paraprirë hartimit të Statutit. Puna është produkt i partneritetit midis dy organizatave tona dhe nuk përfshin asnjë palë të tretë. Procesi i hartimit të statutit përfshinte konsultime me ekspertë, akademikë dhe profesionistë që punonin ose përfshiheshin në dialogun e Brukselit”, ka thënë Rene Schlee, drejtor i zyrës së FES-it për Kosovë.

Ky publikim sipas institutit duhet parë më tepër si pikënisje për një kontribut të mbështetur në argumente.

“Puna jonë u drejtua vetëm nga motivimi për të kontribuar në fillimin e një diskutimi publik thelbësor dhe ofrimin e rekomandimeve tona të formuara përmes ekspertizës së duhur vendore dhe ndërkombëtare – siç kemi bërë në të kaluarën për çështje të ndryshme politike dhe socio-ekonomike”.

Ndryshe, për marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut e që njëra prej tyre është edhe për themelimin e Asociacionit, emisari Lajçak mbrëmë tha se është arritur dakordim me kryeministrin Kurti që ato duhet të zbatohen plotësisht.