Edhe pse të ndarë, burri në Vushtrri e akuzon ish-gruan se po e tradhton – e rrah keq

Dyshimet për tradhti dhe xhelozia shpeshherë janë bërë shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre, por edhe nga familjarë të tjerë.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Vushtrri, por këtë herë një grua e ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj në Polici për dhunë në familje.

Sinjali mëson se viktima ka raportuar në Polici se rasti ka ndodhur pasi ish-bashkëshorti i saj, Sh.B., 40-vjeçar i ka shkuar në banesë dhe ka filluar t’i bëjë presion duke e akuzuar se po e tradhton, ndonëse ata janë ndarë. Situata ka eskaluar kur i dyshuari ka filluar ta godas viktimës, të cilës i ka shkaktuar lëndime.

Përballë kësaj situate, burimet thonë se gruaja ka vendosur që ta njoftojë Policinë, me ç’rast njësitet policore i kanë shoqëruar palët në stacion, ku kanë dhënë versionet e tyre për atë që kishte ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave në Polici, urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.