Kamera në veturat e Policisë për gjobitjen e kundërvajtësve në trafik

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, ka folur në lidhje me pajisjet e reja teknike, që do të vendosen në rrugë për t’i detektuar kundërvajtësit.

Mehmeti ka thënë se tani policia s’do t’i ndalojë qytetarët që t’i gjobisë, por pajisja që do të jetë e instaluar në automjet.

Ai bëri me dije se pajisja teknike përbëhet nga sensorët, radarët dhe kamerat.

“Nga sot, përkatësisht gjatë ditëve në vijim, në komunikacion do të jenë automjete me mjete teknike, të cilat totalisht e ndryshojnë qasjen e policisë ndaj kundërvajtësve”, u shpreh Mehmeti.

“Deri sot kundërvajtjet janë identifikuar përmes ndalimit, policia e ka ndaluar kundërvajtjen, e ka identifikuar kundërvajtjen dhe e ka shqiptuar masën e dënimit. Në ditët në vijim identifikimi i kundërvajtjeve do t bëhet nga vetë pajisja teknike, vetë pajisja teknike, sensorët, radarët, kamerat, të cilat janë të instaluara në automjet, e bëjnë identifikimin e kundërvajtjeve”.

Mehmeti gjithashtu potencoi se këto pajisje do të jenë në të gjithë territorin e Kosovës, pra duke përfshirë edhe veriun. /KlanKosova