Opozita kërkon shkarkim, Kurti i dhuron besim – Rozeta Hajdari refuzon të dorëhiqet

Arrestimi i zyrtarëve të MINT-it, ishte tema kryesore e ditës së djeshme në vendin tonë.

Përgjimet e publikuara javë më parë nga Gazeta Nacionale rezultuan me tre të arrestuar, përfshirë Ridvan Muharremin, pronarin e një furre “Bukë e zemër”, përcjell lajmi.net.,

Me t’u publikuar lajmet, opozita filloi me kërkesat për shkarkim, duke thënë se Hajdari duhet të largohet nga pozita që mban aktualisht.

Të këtij mendimi ishin të gjitha partitë opozitare shqiptare, që përmes zyrtarëve të saj shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur me zhvillimet në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Megjithatë, Rozeta Hajdari gëzon besimin e kryeministrit të Republikës. Albin Kurti, mbrëmë, përmes një video-adresimi tregoi hapur mbështetjen për Hajdarin, ndërsa shfrytëzoi rastin ta kritikojë opozitën, mediet e prokurorinë në përgjithësi, duke thënë se janë një numër kallëzimesh penale që nuk po gjejnë inicime nga autoritetet.

Në anën tjetër, paraprakisht, vetë Hajdari kishte mohuar kategorikisht të ofrojë dorëheqje, ani pse po në të njëjtën konferencë e kishte pohuar faktin se një pjesë e rezervave, përkatësisht 3% janë vonuar dhe tashmë është nisur një inicim gjyqësor.