Shqiptarët u rrahën e u gjakosën në Perugia – shkak një vajzë italiane

Aeroporti i Perugias më 25 qershor u trazua nga një arenë përleshjeje e vrazhdë mes dy grupeve, ku protagonistë ishin shqiptarët.

Nuk u kursye asnjë mjet. Dhuna ishte kryefjala. Pak para se të nisej aeroplani i linjës Perugia – Tiranë, vëmendjen e mori një kacafytje e përmasave të mëdha mes dy grupeve shqiptare. Gjithë ky qërim hesapesh prodhoi tetë të arrestuar nga forcat italiane të rendit dhe sigurisë, të cilëve u është shqiptuar edhe masa e paraburgimit. Prej tyre shtatë janë shqiptarë nga Shqipëria dhe një tjetër është italian.

Për shumkë arsyet ishin të panjohura. Një shfaqje dhune që zuri ballinat e shtypit italian, u bë temë e ditës. Nënkuptohej se dy grupet kishin disa llogari të hapura njëra me tjetrën, por akoma nuk ishin identifikuar se cilat ishin ato.

Por, pse ndodhi rrahja dhe gjakosja brutale?

Tashmë kanë dalë në bankën e të akuzuarve para drejtësisë italiane personat e arrestuar. Rrjedhimisht, kanë filluar të dihen edhe arsyet konkrete që shpijnë në atë rrahje të tmerrshme, ku gjaku qarkulloi në aeroportin e Perugia për minuta të tërë.

Në bazë të dëshmive të para, gjithçka ka të bëjë me një ngjarje që kishte ndodhur një muaj më herët. Po flasim për datën 28 maj. Në një hotel të vogël, të quajtur Mini Hotel di Corciano, ishte krijuar një konflikt mes dy grupeve.

Gjithçka kishte të bënte me xhelozi karshi një vajzeje të re italiane. Në agimin e hershëm të asaj dite, dhjetëra shqiptarë kishin hapur dhunshëm me mjete të forta portën e njërës prej dhomave të hotelit. Ata ishin të pajisur me mjete, si: shkopinj, mjete mekanike, thika dhe një pistoletë. Të gjitha këto i përdorën për t’i rrahur dy bashkëkombas të tyre, të cilët ishin kusherinj mes vete dhe që në atë moment gjendeshin në shoqërinë e një vajzeje të re italiane.

Pikërisht vajza italiane u përdor si shkaktare e përleshjes në atë ditë të majit. Ajo, e traumatizuar nga hyrja e dhunshme e agresorëve në dhomë, gjysmë e zhveshur vendosi të ikte rrugëve me të parë që njëri prej shokëve të saj ishte sulmuar me thikë, duke i shkaktuar shenja të mëdha në fytyrë. Thika e përdorur ishte e kuzhinës, afro 30 centimetërshe. Sipas prokurores italiane që po merret me këtë rast, pikënisja e sherrit ka qenë kjo.

Si ndodhi hakmarrja në aeroport?

Fluturimi ishte paraparë që të ndodhte në mesditën e vonë. Me t’u hapur check-in’i në aeroport, ka filluar edhe kontrolli normal. Por, normaliteti vazhdoi vetëm për disa minuta.
Kamerat e sigurisë në aeroportin e Perugias kanë parë njërin prind të dy djemve të sulmuar në hotel një muaj më parë, i cili po hynte brenda. Ai kishte rezervuar një biletë për t’u nisur drejt vendlindjes. Mirëpo, me të hyrë brenda në aeroport, krejt rastësisht sheh njërin nga personat që kishte sulmuar të birin e tij në hotel.

Sipas prokurorisë italiane, ai në atë moment ka marrë në telefon disa familjarë të tij, të cilët i ka ftuar që të vijnë. Për një çerek orë, ata kanë mbërritur si “përforcime”. Në aeroport ata që u thirrën ishin kusherinjtë e personave të sulmuar një muaj më herët, si dhe tjetri prind i djalit që po ashtu u sulmua. Ora 14:50. Ata kalojnë me forcë shiritat e sigurisë të aeroportit dhe e godasin pamëshirshëm, duke e rrahur brutalisht në shenjë hakmarrjeje personin i cili kishte sulmuar familjarët e tyre në dhomën e hotelit më 28 maj. Filluan grushtet, shkelmat pa kontroll, hedhja e mjeteve të forta të hekurit, si dhe në një moment grave përreth u morën edhe karrocat e fëmijëve për t’i qëruar hesapet.

Pas pak sekondave, u përplas në tokë i gjakosur rëndë shqiptari që ishte viktimë e sulmeve. Prapëseprapë, sulmet karshi tij nuk u ndalen për minuta të tëra. Sado që gjaku rrjedhte në aeroport me metra të tërë, shkelmat drejt fytyrës së tij vazhdonin. Njësoj si ai përfunduan edhe shoqëruesit e tij. Me këtë u kompletua edhe një “hakmarrje” e dhunshme.

Për prokurorinë italiane, personat e sulmuar nuk është se kanë treguar ndonjë racionalitet të theksuar për ta shmangur konfliktin. Ata e kanë mirëpritur atë, duke mos i ikur fare. Madje, kanë provokuar me zënka.

Procesi hetimor ndaj shqiptarëve të arrestuar në lidhje me këtë rast do të vazhdojë gjatë javëve në vijim. Prokuroria e ka konsideruar si ngjarje të rëndë atë që ka ndodhur në aeroportin e Perugias më 25 qershor.