Gjoba deri në 3 mijë euro për ata që nuk e zbatojnë Ligjin për kontroll të duhanit

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga janari deri më 14 mars janë shqiptuar 1328 gjoba sa i përket zbatimit të Ligjit për Kontroll të Duhanit.

“Po vazhdon pa kompromis zbatimi i Ligjit për Kontroll të Duhanit, në të gjithë territorin e Republikës, ku nga janari deri me datë 14.03.2024 janë shqiptuar gjithsej 1328 gjoba.”

MSh thotë se në muajin e parë gjobat kanë qenë minimale, ndërsa tash e tutje gjobat do të jenë nga 1000 deri në 3000 euro.

“Muajin e parë të vitit gjobat kanë qenë minimale, me qëllim që të nxisim bashkëpunim të ndërsjellë pa i ngarkuar bizneset, ndërsa tash e tutje gjobat për ata që thyejnë ligjin do të jenë maksimale, prej 1000 deri në 3000 euro.

Ministria ka thënë se duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz në vit në botë.

“Duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit në botë, duke përfshirë rreth 1.3 milionë jo-duhanpirës të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit të dorës së dytë; Në çdo 6.5 sekonda një njeri vdes në botë nga pasojat e duhanpirjes; Duhani vret gjysmën e përdoruesve të tij. Është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë; Pirja e duhanit vlerësohet se shkakton: 67% të gjitha vdekjeve nga kanceri i mushkërive; 34% të vdekjeve nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe 8% të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare. Prandaj, mos pi duhan. Jeto, merr frymë lirshëm!”, thuhet në njoftimin e MSh’së.