16 vjet shtet, Kosova shënon Ditën e Pavarësisë

Republika e Kosovës sot shënon 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Më 17 shkurt 2008, në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi i Kosovës kishte shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e pavarësisë kishte ardhur pas propozimi të i presidentit Martti Ahtisaari, i cili ishte ngarkuar nga OKB-ja për bisedime në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pasi propozimi i Ahtisarit nuk kishte marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova në koordinim të plotë me aleatët perëndimorë kishte vendosur së shpalljen e pavarësisë ta bëj në mënyrë të njëanshme.

Akti i shpalljes së pavaresisë menjëherë ishte njohur nga fuqitë e mëdha, duke përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermanin dhe një numër i madh i shteteve demokratike.

Liderët institucionalë kanë uruar qytetarët e Kosovës për Ditën e Pavarësisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar qytetarët e Kosovës me një foto të veçantë.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka postuar një foto të Gardës së Nderit të FSK-së, ndërsa në prapavijë duket fotografia e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ajo ka shkruar se e dum Kosovën sovrane dhe me aleatë.

“Të duam Kosovë 💙💛 Të lirë, të pavarur, sovrane e me aleatë. Urime ditëlindjen e 16të”, ka shkruar Osmani.

Për nder të Ditës së Pavarësisë do të mbahen një numër i madh i aktiviteteve, të cilat do të organizohen nën patronatin e Qeverisë së Kosovës.

Agjenda shtetërore për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të nis nga ndërtesa e Qeverisë:

08:00 – Mbledhje Festive e Qeverisë së Republikës së Kosovës

08:20 – Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës

08:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve

08:45 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova

08:50 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi

09:50 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

11:00 – Nderime te Monumenti “Heroinat”

11:15 – Nderime te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë

11:25 – Nderime te pllaka e fëmijëve të vrarë gjatë luftës (Oborri i Kuvendit)

12:00 – Seanca Solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës

17:00 – Pritje shtetërore nga presidentja, kryeparlamentari dhe kryeministri i Kosovës

18:00 – Koncerti i Pavarësisë (Sheshi i Prishtinës)

20:15 – Koncert solemn i Filharmonisë së Kosovës (Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë).