Kurti i ftoi për darkën e së hënës, PDK merr vendimin përfundimtar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka thënë “po” takimit me kryeministrin Albin Kurti, i cili është ftuar për të hënën në ora 18:30.

Zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullau, ka konfirmuar për Nacionalen pjesëmarrjen e PDK-së në darkën e shefit të qeverisë me opozitën.

Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim.”, ka thënë ai.

Abdullahu ka bërë me dije se Krasniqi do të shkojë në këtë takim për të diskutuar rreth mundësisë së caktimit të datës për zgjedhje të reja.

Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja.”, është shprehur zëdhënësi i PDK-së.