21 vjeçari që i plagosi tre persona në Pejë planifikonte arratisje nga Kosova

21 vjeçari Agron Gashi, pas plagosjes së tre personave në qendër të Pejës, arriti që me ndihmën e një personi të largohet nga vendi i ngjarjes dhe të strehohet në vendlindjen e tij.

I dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë duket se kishte plane të e braktiste Ozdrimin e Pejës, e të arratisej për në një shtet tjetër, institucionet i kanë rënë në gjurmë këtij plani që për pak nuk u realizua.

“Njëkohësisht kemi pranuar informata që personi i dyshuar për plagosjen e trefishtë ka përgatitur një plan për arratisje nga Republika e Kosovës dhe për këtë çështje menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive. Është lokalizuar personi i dyshuar dhe më pas është arrestuar”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Agron Gashi që aktualisht ndodhet në paraburgim edhe më herët kishte pasur probleme me ligjin. Madje RTV Dukagjini merr vesh se ai është i përfshirë në gati 20 vepra penale, e disa prej tyre i tregon edhe vet zëdhënësi i Prokurorisë.

“Ky person i pandehur vitin e kaluar e ka shkelur me veturë një zyrtar policor përkatësisht nuk i është ndalur zyrtarit policor dhe e ka goditur me veturë i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe është arratisur nga vendi i ngjarjes”, ka shtuar Nikçi.