24 vjet nga vrasja e Shejh Myhedin Shehut, homazhe e lule të freskëta te shtatorja e tij

Sot janë bërë 24 vjet nga vrasja e atdhetarit dhe prijësit fetar nga Rahoveci, Shejh Myhedin Shehu.

Para shtatores së tij në qytetin e Rahovecit, shumë njerëz kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule të freskët. Mes tyre edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.

Latifi e ka çmuar lartë figurën e Myhedinit, duke thënë se ai kishte virtyte të larta njerëzore, kombëtare dhe shpirtërore.

“Çdo fjalë është e mangët dhe e paplotë për ta përkufizuar aurën e Shejh Myhedinit prej një njeriu me vlera të larta njerëzore, kombëtare dhe shpirtërore. Formimi i tij familjar i kishte kultivuar atij një dashuri të veçantë për njerëzit dhe kombin shqiptar dhe e kishte përgatitur për sakrificë e vetëflijim”, ka shkruar ai.

Kryetari Latifi ka thënë se vepra e tij, Shejh Myhedinin e ka bërë të pavedekshëm dhe shembull se si duhet dashur e mbrojtur kombi.

“Ra duke i kontribuar çështjes kombëtare, përpjekjes sonë për liri dhe pavarësi. Vepra e tij e ka bërë të pavdekshëm dhe shembull, se si duhet dashur e mbrojtur kombi kur kalon në kohë të vështira, sikurse 24 vjet më parë. Do të jetë i përhershëm kujtimi për jetën dhe veprën e tij! Nderime të përjetshme, Shejh Myhedin Shehut!”, ka shkruar në fund Latifi.