385 raste të pickimit të njerëzve nga rriqrat në Malishevë

Sipas raportit pesëmujor të QKMF-së në komunën e Malishevës, brenda kësaj periudhe në territorin e kësaj komune janë pickuar 385 persona, por asnjë nuk është i hospitalizuar.

“Një menaxhim i mirë u përkushtohet punës dhe ekipeve mjekësore të cilët mbajtën ligjërata të drejtpërdrejta me nxënës të shkollave dhe kjo padyshim ka ndikuar në informimin e tyre. Po ashtu angazhim në këtë drejtim kanë dhënë edhe sektorët e bujqësisë dhe të emergjencave të cilët dolën në terrene fushore, ku bënë spërkatjen e hapësirave publike. Këta janë faktorë që mbrojtën banorët që punojnë në fusha nga pickimet e rriqrave. Këshilla profesionale nga anëtarët e komitetit është se situata me ethet hemorragjike nga rriqrat nuk është tejkaluar tërësisht, prandaj edhe kërkohet përkujdesje nga të gjithë qytetarët që t’u përmbahen rregullave të mbrojtjes nga rriqrat, sidomos në këta muajt e vapës dhe punës në fusha”, ka njoftuar Komuna e Malishevës.