5 pyetje dhe 5 përgjigje: Escobar i prerë kur flet për Kurtin dhe Asociacionin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë e kanë bërë të qartë se duhet të themelohet Asociaconi i komunave me shumicë serbe. Ndër më të zëshmit në këtë kërkesë, ka qenë emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në një intervistë dhënë së fundi, ai është pyetur pesë herë për këtë çështje, dhe pesë herë dha qëndrimin e tij të prerë. Si u përgjigj diplomati amerikan?

Pesë emisarë qëndruan në Kosovë e Serbi për vizitë gjatë së premtes, në mesin e tyre, edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.

Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, ai nuk ka zbuluar shumë rreth takimeve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

5 pyetje për Kurtin dhe Asociacionin
Në intervistën e mbrëmshme, Escobar u pyet pesë herë për Asociacionin, dhe këto pyetje, kishin të bënin edhe me refuzimin e kryeministrit Albin Kurti që të pajtohet për një çështje të tillë.

Pyetja e parë ishte kjo: “…edhe ai (Kurti) është i vendosur se nuk do ta zbatojë. Si mendoni se do të funksionojë kjo?

Përgjigja e Escobar do të publikohej më pas në secilin medium dhe do të komentohej shumë. Fillimisht, ai tha: “Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt.”.

Escobar e theksoi se “do ta bëjnë këtë, dhe vetë ai do ta bëjë këtë” me ndihmën e shumë partnerëve.

Pyetja e dytë, sërish ishte për Kurtin.

“Ju kuptova mirë se nëse zoti Kurti nuk e bën do ta bëni ju?” – u pyet ai.

Escobar, këtu u përgjigj duke thënë se do të nisin biseidme në shkallë vendi, për të kuptuar më shumë se çfarë nënkupton ky detyrim për qytetarët e Kosovës.

“Nëse zoti Kurti pajtohet në fund ta përmbushë këtë detyrim….” – iu tha atij nga Zëri i Amerikës.

Emisari amerikan, sërish ishte tepër i drejtpërdrejtë, duke thënë se “Kurti nuk ka nevojë të pajtohet, Kosova është pajtuar.”

“Kurti është kryeministër…” – vijoi dialogu për këtë çështje.

Megjithatë, sipas Escobarit, “një person, një palë, nuk mund ta shmangë atë”, derisa vijoi duke thënë se “Kosova është pajtuar tashmë si qeveri”.

Pyetja e pestë, që kishte të bënte sërish me Kurtin dhe Asociacionin, përfshinte edhe Serbinë, duke dashur të kuptohet se “a është kjo rruga për ta inkurajuar shtetin serb që ta pranojë propozimin franko-gjerman?”.

Diplomati amerikan la të kuptohet se këto dy çështje nuk janë të lidhura tërësisht me njëra-tjetrën.

“Asociacioni është një detyrim ekzistues, që duhet të zbatohet. Propozimi franko-gjerman është shumë i mirë për të çuar përpara marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, drejt një paqeje të qëndrueshme. Ne do të punojmë njëkohësisht, sepse i duam të dyja.” – u përgjigj ai.

Takimi i radhës, së shpejti
Escobar në këtë intervistë nuk ka dhënë ndonjë datë për takimin e radhës të mundshëm mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, pasi tha se nuk ka një të të tillë, të paktën “jo formalisht”.

Por ai theksoi se “kjo po diskutohet dhe duhet të ndodhë shumë shpejt.”

Ndërkohë, emisari evropian, Mirsolav Lajçak, që po ashtu ishte dje në Kosovë, tha se në takime u diskutuan për hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Së bashku me këshilltarët e politikës së jashtme të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe atë amerikan Escobari, kam udhëtuar sot në Kosovë dhe Serbi për të diskutuar hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre bazuar në propozimin tonë.” – shkroi ai.

Ai e ka bërë të qartë, se kjo nënkupton zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, derisa tha se “bisedimet vazhdojnë së shpejti”.

“Kjo gjithashtu nënkupton zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve. Kam në plan të vazhdojmë bisedimet tona së shpejti.” – tha ai në fund./Leonitë Demaku – Nacionale