Lirimi i Naser Pajazitajt, ky pritet të jetë vendimi i radhës i familjes së Donjetës

Rasti i lirimit nga akuzat të Naser Pajazitajt, mund të kthehet edhe njëherë në pikën zero, nëse Kushtetuesja konstaton shkelje gjatë administrimit të provave, thonë juristët. Familja e të ndjerës Donjeta Pajazitajt thotë se ndonëse i është zbehur besimi, do ta dërgojnë vendimin e Supremes në Kushtetuese

Rasti i vrasjes së Donjeta Pajazitajt pritet të trajtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Të tronditur me vendimin e Gjykatës Supreme, për lirimin e Naser Pajazitajt nga akuzat për vrasjen e Donjetës, familja e saj do t’i drejtohet edhe Kushtetueses. Vëllai i Donjetës, ka thënë se ndonëse nuk kanë shumë shpresë se do mund të ndryshohet diçka, ata do ta shfrytëzojnë edhe këtë të drejtë të fundit ligjore.

“Ka qenë shumë vendim i rëndë, tash do shkojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese, po presim njëherë me marr vendimin prej Gjykatës të shohim cfarë vendimi po na jepin, edhe pse psh këtu shpresa është krejt e humbur, do ta provojmë edhe këtë instancë e në fund ne duhet me u dorëzu, se me shtet nuk mundemi me u shty”, ka deklaruar vëllai i Donjetës, Shkëlqimi.

Arsyetimin e vendimit nuk e ka pranuar ende familja e të ndjerës, derisa kryetarja e panelit, Valdete Daka, shkurt ka thënë se janë duke e përpiluar aktgjykimin.

Sipas profesorit të së drejtës penale, Ismet Salihu, Gjykata Kushtetuese ka juridiksion ta kthejë çështjen në pikën zero nëse konstatohet se ka pasur shkelje gjatë administrimit të provave.

“Gjykata Kushtetuese do kete juridiksion, do të ketë autorizim me konstatu dhe me kthy sërish lëndën vetëm nëse konstaton se ndonjë provë kruciale vendimtare nuk është proceduar, nuk është ndriçuar sa duhet e si duhet në të gjitha këto instanca të gjykatës Themelore, Apelit e Supremes, vetëm këtë rast ka të drejtën”, ka deklaruar Salihu.

Por, sipas avokatit të Naser Pajazitajt, Supremja ka vendosur drejt për shkak se nuk ka pasur prova të mjaftueshme ta lë fajtor klientin e tij.

“Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë e rregullt. Unë mendoj dhe inkurajoj familjen të shfrytëzojë të gjitha mjetet jurdike, mirëpo vendimi nuk ka si të jetë ndryshe, nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut, ka pasur vetëm në raport me të mbrotjurin tim, Naserin i cili edhe familja e tij është lincuar për 8 vite edhe nga fshati edhe nga gjithë opinioni publik”, ka thënë Ahmet Tahiri, avokat i Naser Pajazitajt.

Nga dënimi me 35 vjet burgim i shkallës së dytë, një ditë më parë, Gjykata Supreme njoftoi se e ka liruar krejtësisht Naser Pajazitajn nga akuzat për vrasjen e kushërirës së tij, Donjetës. Në këtë rast, janë shpallur disa aktgjykime të ndryshme, përfshirë tri dënime me burgim të përjetshëm./RTV Dukagjini