Kunati i Albulena Haxhiut i zhgënjyer me Kosovën, do të largohet për të jetuar në Finlandë

Aktivisti i Vetëvendosjes Dardan Krasniqi, njëherësh kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se së shpejti do të largohet nga Kosova.

Duke folur për Debat Plus, Krasniqi ka thënë se një vendim të tillë e ka marrë për shkak të zhgënjimit me politikën, sistemin e drejtësisë e shëndetësinë në vend.

“Fatkeqësisht më 28 të këtij muaji unë shkoj në Finlandë me frustrimin ma të madh dhe zhgënjimin ma të madh ndaj këtij vendi… dhe mendoj që pjesën tjerë të jetës ta kalojë në Finlandë,”- ka thënë Krasniqi.

Tutje ai ka shtuar se qytetarëve u është bërë barrë e rëndë jeta në Kosovë, duke specifikuar tri arsye, “padrejtësia e madhe, pa barazia e madhe dhe niveli i dobët i arsimit dhe shëndetësisë”.

Duke shtuar si ai ka qenë pjesëmarrës në tri lufta për shqiptarët, ai ka treguar se vendimi që ka marrë është i dhimbshëm, mirëpo më nuk sheh shpresë në Kosovë.

“Unë e kam përjetuar tepër dhimbshëm. Është shumë e dhimbshme mirëpo, gjithë angazhimi dhe jeta jemi ka qenë, luftë, përplasje,…protesta… jetën se kam bë (nuk kam mundur ta shijojë në Kosovë]. Fatkeqësisht unë po iku se secili pushtet i pas luftës na ka diskriminuar, na i ka marrë të drejta elementare. Mua dhe pushteti (i Lëvizjes Vetëvendosje) për të cilin jam angazhuar ma ka marrë të drejtën elementare që është e garantuar në Kushtetutë mu ndje i barabartë në një konkurs ku aplikon,”- ka thënë ai.

Ai më tej ka njoftuar se edhe pse i ka dy fakultete të kryera e shumë trajnime, nuk ka arritur të punësohet.