Sinjali mbrëmë raportoi për një ngatërresë mes katër anëtarëve të familjes Hadërgjonaj në bjeshkën e Vokshit në Deçan, të cilët u rrahën keq mes vete për shkak të një gypi të ujit.
Katër personat që u përfshinë në përleshje e pësuan keq për shkak të goditjeve me mjete të forta.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se personat e përfshirë në rrahje janë Azgon Hadërgjonaj, Haxhi Hadërgjonaj, Enver Hadërgjonaj dhe Mehmet Hadërxhonaj.
Sinjali mëson se dy nga të dyshuarit fillimisht ia kanë larguar gypin e ujit nga burimi dy të dyshuarve të tjerë, me arsyetimin se nuk kanë drejtë të shfrytëzojnë këtë burim.
Aty plasi sherri, për çka u desh edhe intervenimi i Policisë, që shoqëroi palët në stacion, pas trajtimit mjekësor që morën.
Në Polici, të dyshuarit kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin dhe më pas janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.