Kurti: Ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që i kemi lënë pas

Sot në Bruksel, me ftesë të Josep Borrell, shef i diplomacisë së BE-së, është mbajtur një takim i ndarë mes kryediplomatit të BE-së me Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë. Pas deklaratave të Borrellit, në konferencë për media ka dalë edhe Albin Kurti.

Kryeministri është deklaruar pas takimit 4-orësh me Josep Borrellin, shef i diplomacisë së BE-së, në Bruksel. Në deklarimin e tij, Kurti ka njoftuar se kupton nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.

“Natyrisht që e kuptoj që ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces që paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhje të lira dhe demokratike.” – tha ai.

Kurti ka treguar ca detaje nga takimi me Borrellin. Sipas Kurtit, ai i ka thënë Borellit se prania e Policisë në afërsi të objekteve të komunave në veri është e obligueshme, ndonëse jo e dëshirueshme.

‘’Unë i thash Borrellit që policia nuk është në afërsi të godinave, por brenda ndërtesave. Prania e tyre nuk është e dëshirueshme për ne, por është e obligueshme për ta duke pasur parasysh ekstremistët e dhunshëm që kanë ushtruar dhunë mbi policët e Kosovës, ushtarakët e NATO-s, e gazetarët… Ne nuk mund ta bëjmë zvogëlimin gradual dhe proporcional, siç e kemi paralajmëruar, të policisë përderisa nuk ka një përballje me drejtësinë të këtyre elementëve ekstremistë, të largimit të tyre. Ndërkaq, po zgjedhje të parakohshme pa dyshim jemi të hapur, vetëm se zgjedhjet e parakohshme duhet të kenë zgjidhje ligjore. Nuk mund të bëhen zgjedhjet e parakohshme jashtë ligjit, siç e parasheh ligji në Kosovë, ta zëmë me nënshkrim e qytetarëve të cilët mbledhin përmes një peticioni vullnetin e tyre që t’ia përfundojnë një kryetari të komunës. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit dhe është e mundshme në Kosovë.’’, ka thënë Kurti.

Tutje, shefi i ekzekutivit kosovar është parë optimist në këtë konferencë për medie në Bruksel. Ai ka thënë se shpreson që do të ketë ditë me të qeta dhe më paqësore në veri ditët e ardhshme. Kurti vlerësoi se ka qenë i gatshëm të vazhdojë ende dialogun.

“Ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që i kemi lënë pas. Sidoqoftë, mbetet të shihet. Jam i hendikepuar për shkak se nuk kam pasur takim direkt, po e rithkesoj, ata që i thanë po marrëveshjes, që të mos e nënshkruajnë dhe që duket se janë penduar që kanë thënë po, tash po refuzojnë të takohen me mua, ndërkohë që i mbajnë peng tre policë të Kosovës.

Është situatë shumë e vështirë për neve, mirëpo ne bëjmë më të mirën e mundshme. Siç po e shihni, në Bruksel është ende ditë, kemi mundur të vazhdojmë bisedimet, ndonëse është dita më e gjatë e vitit, megjithatë ka pasur kohë të kemi dialog intensiv deri sa të arrijmë një dakordim. Gatishmëria ime nuk mungon.” – tha Kurti, teksa e akuzoi palën serbë për ikjen nga dialogu.

Çka tha Borrell?

Në deklarimin e tij, Borrell tregoi se nuk ka pasur takim tre-palësh mes tij, Kurtit dhe Vuçiqit. Tutje, diplomati Borrell theksoi se i ka vendosur mbi tavolinë disa propozime konkrete.

“Pas katër orë takime, unë mendoj që të dy liderët e kuptojnë rreptësinë e situatës. Por ashiqare janë në situata të ndryshme, në qasje të ndryshme, në interpretime të ndryshme mbi shkaqet dhe pasojat dhe zgjidhjet. Në mënyrë që të përpiqemi të shkojmë përpara, unë kam vendosur propozime konkrete mbi tavolinë bazuar mbi gjendjen e lartëcekur të BE-së.

Dhe lista në këtë kontekst, ne jemi pajtuar për nevojën për zgjedhje të reja dhe diskutimin mbi modalitetet dhe hapat si të arrijmë atje (te zgjedhjet v.j.). Ende nuk jemi aty, por së paku ne e dimë si të ecim tutje, cilat janë dallimet dhe alternativat mbi procedurat.” – deklaroi ai.

Kryediplmati i BE-së vlerësoi se mbledhja e sotme ishte një takim për menaxhimin e krizës dhe shtensionimin e situatës. Andja, sipas Borrellit, takimi u fokusua më shumë në si dhe kur të shtensionohet situata mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mbledhja e sotme, nuk u fokusua në çka, por në si dhe kur. Si të shtensionojmë situatën në terren, si ta shtensionojmë atë në hapa konkret, si të organizojmë zgjedhje të reja dhe sit ë rikthehemi në dialog dhe zbatim të të gjitha obligimeve të dialogut në veçanti zbatimin e marrëveshjes mbi rrugën e normalizimit.” – tha ai.

Në krejt këtë takim të gjatë 4 orësh, Borrell njoftoi se është folur edhe për arrestimet, duke theksuar se keqtrajtimi i të burgosurve është plotësisht i papranueshëm.

“Ne biseduam edhe për arrestimet. Unë e nënvizova se arrestimet qoftë arbitrare ose ligjore, ose keqtrajtimi i të burgosurve, është plotësisht i papranueshëm.” – theksoi ai.

Borrell njoftoi se i ka kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të kidnapuar nga Serbia (ndonëse Borrell përdori termin “mbajtje”).

“Unë gjithashtu e theksova te presidenti Vuçiq se tre policët e Kosovës të mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Dhe për të përmbledhur, ne kemi identifikuar rrugët përpara” – deklaroi ai./Nacionale