Hovenier: Përkundër situatës mes nesh, e kemi ftuar qeverinë për të festuar Pavarësinë e ShBA-së

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se përkundër faktit që situata mes palëve nuk është në një moment të mirë, ata kanë ftuar përfaqësues të qeverisë për të festuar Pavarësinë e ShBA-së.

Hovenier gjithashtu potencoi faktin që të dyja palët kanë të njëjta objektiva strategjike dhe kjo është arsye pse duhet bërë bashkë për të shënuar 247 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.

“I kemi ftuar mysafirët e zakonshëm dhe mirëpresim mundësinë për t’i pritur ata. Por, më duhet të them dhe është me rëndësi të vihet në pah se do të kremtojmë së bashku dhe e mirëpresim këtë, si qeveri me qeveri jemi në një çast më të vështirë.

Qeveria e SHBA-së dhe qeveria aktuale e Kosovës i kanë disa dallime dhe nuk do të duhej t’i zvogëloj apo t’i injoroj ato, por kjo nuk do të thotë që nuk i kemi të njëjtat objektiva strategjikë dhe nuk do të thotë që nuk mund të bëhemi bashkë për të festuar përvjetorin e 247-të të nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, gjë që do ta bëjmë me kënaqësi”, ka thënë Hovenier në Rubikon.