Hovenier: Kosova nuk i ka përmbushur idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff. Hovenier thotë se Kosova nuk i ka përmbushur idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj.

Gjatë fjalimit të tij në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Hovenier e citoi një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”, citon amabsadori amerikan, teksa shtoi se “ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj dhe se Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve”.

Hovenier, gjithashtu, ka thënë se ShBA edhe me tej mbeshtesin shtetin dhe shoqërinë kosovare.

“Në këtë frymë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në avancimin dhe arritjen e vizionit të saj themelues: shtetin demokratik, sovran, laik, multietnik”, tha Hovenier.

Ambasadori theksioi se SHBA dhe partnerët perëndimorë mbështesin Kosovën duke ofruar këshilla, e edhe pse kërkojnë “gjëra që duken ose janë vërtet të vështira për t’u bërë”, por se këtë e bëjnë në përputhje me “përkushtimin afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për t’iu afruar atyre idealeve shumë ambicioze që ata kanë krijuar për veten e tyre”, raporton Gazeta Blic.

“Kështu që sot, teksa ne festojmë 247 vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një shtet i lirë, sovran, i pavarur, ne gjithashtu duam të festojmë së bashku, pasi Kosova arriti pavarësinë e saj të merituar; përparimin e jashtëzakonshëm që populli i Kosovës ka bërë në këtë periudhë të shkurtë kohore, dhe premtimin për përparim të mëtejshëm në dobi të të gjithë popullit të Kosovës”, u shpreh ai.