Gjakovari kapet me armë, arsyetohet para Policisë: U nisa për të gjuajtur në një poligon në Prishtinë

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve.

Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.

Një rast i tillë është zbuluar të shtunën në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë pjesë ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, te shoferi është gjetur një armë, të cilën sipas të dyshuarit e kishte marrë për të gjuajtur në poligon.

Pas përfundimit të kontrollit policor, arma është konfiskuar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“