“Lista Serbe votoi kundër veteranëve si Lëvizja Vetëvendosje”

Deputeti tashmë i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka folur të mërkurën për përgjimet e publikuara nga Nacionale, ku dëgjohen bisedat ndërmjet shefes së Grupit Parlametnar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe Sllavko Simiqit të Listës Serbe.

Ai tha se nuk kanë qenë në dijeni për koordinim të VV-së me Listën Serbe. Por, Humolli shtoi se në rastin e Veteranëve të UÇK-së, Lista Serbe ka votuar në mënyrë unike sikurse LVV-ja.

“S’kam qenë në dijeni, dhe besoj që s’ka pas dijeni ndonjë prej deputetëve. Me përjashtim që është pa se Lista Serbe në mënyrë unike ka votuar sikur Vetëvendosje kundër veteranëve të luftës. Kanë hy në sallë, si është kry votimi Lista Serbe kanë dalë jashtë”, tha ai në T7.

“Parapërgatitjet apo përgatitjet nuk çojnë peshë shumë, sesa veprimi, veprim që ka qenë i dëmshëm për çështjen e Kosovës, i dëmshëm politik, edhe moral, por i dëmshëm edhe në aspektin social. Në të gjitha drejtimet e ka dëmtuar interesin kombëtar”, shtoi ai.

“Një veprim për mua që s’ka qenë befasi që voton Lista Serbe. Për mua ka qenë befasi për naivitetin e bashkëluftarëve të mi, që kanë qenë në grupin e VV dhe pjesa e të ish-burgosurve politik brenda VV-së”.