BE-ja nuk tregon nëse do t’i largoj masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur nëse do t’i largojë masat ndëshkuese që i ka vendosur Kosovës për shkak të situatës që ishte krijuar në veri të vendit, ani pse Qeveria ndërmori hapa për de-përshkallëzim të situatës.

Nga BE-ja i kanë thënë Telegrafit se presin që Kosova të ndërmarrë hapa të tjerë në këtë drejtim.

“Ne mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes së arritur dhe presim që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë të përparojë në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Më tej BE-ja përmend këtu edhe takimin që pati në Bratislavë, emisari i BE-së, Mirsolav Lajçak me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Ata diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komunat veriore dhe kthimin në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut, sipas deklaratës së 27 vendeve të BE-së të lëshuar më 3 qershor”, thuhet në përgjigjen e tyre.