Kurti tall sërish BE-në, u kërkon “mirënjohje” e jo “masa ndëshkuese”

I mbarë komuniteti Trans-Atlantik e ka mbajtur fajtor për kursin e tij në veri të vendit në instalimin me forcë të kryetarëve të rinj shqiptarë pa vota të popullatës lokale, ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albn Kurti, beson që i mbarë komuniteti Trans-Atlantik e ka gabim në sanksionimin e Kosovës.

Jo sanksionim, mendon ai, por Kosovës ata i duhet të jenë “mirënjohës”.

“Unë jam një, ata janë të gjithë”, do të thoshte shkrimtari i madh Fyodor Dostoevsky për këtë situatë ku Kurti i është futur notit kundër rrjedhës.

Kosova u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Gjermania, ndërsa edhe Mbretëria e Bashkuar ia ka kumtuar atij masat që qeveria britanike mund të ndërmerrë ndaj vendit po qe se Kurti vazhdon të jetë kategorik në këtë që ka zgjedhur të bëjë – shqetësimin e thellë të situatës së sigurisë në veri, në një rajon ku artikektura e sigurisë është nën ombrellën e NATO’s.

Por, Kurti, i njohur për pakompromisësinë e tij deri në përmasa detrimentale për të gjithë, u kërkoi të gjithëve “mirënjohjen” e tyre e jo sanksionimin.

“Ne konsiderojmë që Kosova me progresin e saj ekonomik dhe demokratik do të duhej të kishte mirënjohjen e BE-së edhe kurrfarë masash ndëshkuese”, tha Albin Kurti të premten.

Krejt kjo, lexueshëm, një ‘Jo’ e rivitalizuar ndaj gjysmës perëndimore të globit e cila i kërkon asgjë më shumë se ‘common sense’.

“Sa më herët që merret vesh një gjë e tillë, natyrisht që është më mirë për të gjithë”, vazhdoi ai, kështu duke e lënë të kuptohet se janë perëndimorët ata që s’po merren vesh e jo Kosova.

As edhe një mbështetje të vetme nga askush për instalimin dhe mbajtjen me forcë të kryetarëve në ndërtesa nuk e ka pasur. QUINT-i ia njohu Kosovës legalitetin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve në veri pavarësisht bojkotit absolut të komunitetit shumicë në ato zona, por se i kërkoi vetëm që kryetarët teknikë të ushtrojnë detyrat nga lokacione alternative, për shkak edhe se këta kryetarë të zgjedhur me nga 100 vota nuk mund të kishin ndofarë mandati kush e di çfare.

Madje edhe Kurti i quante kryetar me ‘k’ të vogël, ndonëse në realitet (ato dy të partisë së tij) i bënte të merrnin vendimet me ‘V’-të më të mëdha në ato zona.

Amerikanët dhe evropianët u shprehën se nga Kurti kishin marrë zotimet nga Kurti që ata “s’do të ushtronin funksionet përtej administrative” dhe se do të ishin kryetar veç sa për të kryer “shërbime bazike komunale”. Por, Kurti dy të tijët, s’i la të jenë thjeshtë aty.

Njërin e ngunjoi brenda tash e dy muaj pa dalë as për të parë dritën e diellit, tjetrin e instruktoi të merr vendimet më të mëdha për Mitrovicën Veriore, siç janë hapja e urës së Ibrit, pagesat e rrymës, ndalimi i ndërtimeve në ato zona që s’bëhen konform ligjeve të Kosovës, etj. Krejt këto, sigurisht për t’u mirëpritur, përveç faktit se janë marrë pa përfshirjen e banorëve shumicë – problemi duke qenë politik. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, s’i kanë komentuar këto vendime.

Por, BE dhe ShBA do të ishin skajshmërisht të zhgënjyer me këtë çfarë po bënte Kurti. Tashmë gjuha e tyre do të ishte se ka tejkaluar çështjet politike edhe është kthyer në situatë të sigurisë. E siguria, thonë ata, është tashmë çështje e NATO-s.

BE masat që ka vendosur: “pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, nuk i ka tërhequr.

Masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Zëvendësi i Kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimeve të zhvilluara në Bruksel dhe Bratisllav, u shpreh “i habitur” se si BE-ja nuk i ka hequr ende masat ndaj Kosovës, ndonëse ka Kosova ka pranuar të zvogëlojë praninë prej 25% të njësive speciale të Kosovës.

Emisari i Posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, la të kuptojë se assesi nuk i zhbën tensionet në veri zvogëlimi prej 25% i pranisë së forcave speciale policore brenda dhe rreth ndërtesave zyrtare komunale në tri komunat të banuara me shumicë serbe.

Sarrazin, i cili ka qenë më i zëshmi dhe më ekpsliciti kundër kursit të ndjekur të instalimit me forcë të tre kryetarëve shqiptarë legalë (ndonëse jo legjitimë) nga qeveria kosovare – e kishte quajtur “vendim të budallëm”, “gjuajte me lloç”, “e rrezikshme”, “politiksht i pamençur” dhe ishte nisur për në Prishtinë me të nisur ky kurs – tregoi se çfarë kërkon në të vërtetë BE-ja: mosprani të njësive speciale në ato zona.

“BE i ka dhënë plan të qartë tre-pikësh që nënkupton jo më prani të njësive speciale në veri (të Kosovës) dhe afër ndërtesave komunaëe, dhe zvogëlimi i pranisë për 25 për qind është një hap drejt saj, por qartësisht nuk i përmbush kërkesat e BE-së”, ka thënë Sarrazin këtë të premte në një intervistë për RTS-në./Nacionale