Rrëfehet ish-pjesëtari i ekipit që mbrojti Kosovën në GjND

Disa vende, në krye me Serbinë, para 13 vjetësh pretenduan se Kosova më 17 shkurt e shpalli pavarësinë kundërligjshëm e duke shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Por, nuk doli të jetë ashtu. Gjykata për të Drejtën Ndërkombëtare me seli në Hagë, me 10 vota pro dhe 4 kundër vendosi që Kosova nuk e shkeli Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, raporton Klan Kosova.

Këtë vendim e kujton si shumë emocionues Qerim Qerimi, që në atë kohë ishte pjesë e ekipit që mbronte Kosovën përballë akuzave të Serbisë.

Ky kujton edhe punën e madhe që bënë institucionet shtetërore për të bindur vendet e tjera, që të jenë në anën e shtetit të sapo shpallur.

Megjithatë, sipas Qerimit që më 2010 ishte edhe këshilltar i Ministrit për Punë të Jashtme, Skender Hyseni, momentumi pas vendimit të GjND-së nuk u shfrytëzua edhe aq.

Tash kur ky problem nuk është, duke u thirrur në këtë vendim të Gjykatës, presidentja Vjosa Osmani që në atë kohë ishte pjesë e ekipit ligjor, po kërkon nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të bashkohen, siç tha ajo të shtunën, me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane.