Kurti mban pak ligjerata: Mërgata është edhe më brenda në Kosovë sesa vet ne, ndoshta ne jemi më shumë jashtë

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka mbajtur një fjalim gjatë kohës së lansimit të platformës “Shijo Kosovën”, që i dedikohet diasporës së Kosovës, e cila synon të ofrojë qasje më të lehtë në aktivitetet arsimore e kulturore.

Kurti ka mbajtur edhe një fjalim në këtë nismë. Shefi i ekzekutivit ka lavdëruar gjatë diasporën e Kosovës për kontributin disa dekadësh për Kosovën. Madje në një moment Kurti ka konkluduar se “ndoshta ne jemi më shumë jashtë dhe mërgata është edhe më brenda sesa vet ne”.

Kontributi juaj ndjehet në të gjithë sektorët e vendit, u jemi pafundësisht falënderues e mirënjohjes për angazhimin tuaj të vazhdueshëm për zhvillimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës. Çdo i treti qytetar i republikës sonë nuk është edhe banor, që do të thotë se mërgata jonë përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, përveç se mbase edhe shumicën e ekonomisë sonë, kur kemi parasysh se fuqia jonë punëtore nuk është më pak e pranishme në mërgatë, sesa në vendin tonë.

Kosova gjithsej i ka diku rreth 400 mijë të punësuar dhe ne i kemi 400 mijë shqiptarë vetëm në Republikën Federale të Gjermanisë. Pra si fuqi punëtore nuk i kemi më pak në mërgatë sesa brenda vendit. Kur kemi parasysh edhe kapitalin që e posedon mërgata jonë, atëherë më të vërtetë vihet në dyshim se në kuptimi e ekonomisë kush është brenda e kush është jashtë, ndoshta ne jemi më shumë jashtë dhe mërgata është edhe më brenda sesa vet ne.” – ka thënë Kurti, transmeton Telegrafi.