Bislimi e pret në takim shefin e ri të EULEX-it, diskutuan për shtensionimin e situatës

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur sot në takim shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Duke e uruar Barbanon për pozitën dhe rolin e ri në krye të misionit të EULEX-it, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu përkushtimin e angazhimin e tij maksimal në vazhdimin e bashkëpunimit mes Qeverisë dhe EULEX-it.

Ata patën një shkëmbim të mirë të pikëpamjeve për situatën e sigurisë në Kosovë dhe diskutuan lidhur me angazhimet e vazhdueshme për zbatimin e hapave të dakorduar për shtensionim, si dhe për bashkëpunimin e mëtejmë.

Bislimi theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim, si dhe ruajtjen e paqes, rendit dhe sigurisë në vend.