Nis procedura për zgjedhje të reja në veri, nuk ka pajtim për formën

Tri javë pas marrëveshjes së Bratislavës për deeskalim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës, Qeveria Kurti nisi edhe zyrtarisht zbatimin e saj.

Të martën edhe formalisht nisën procedurat për largimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe.

Mirëpo, forma që Qeveria Kurti po dëshiron që veriu të shkojë në zgjedhje të reja, po del në kundërshtim me kërkesat amerikane dhe evropiane.

Ata po kërkojnë që kryetarët aktual të japin dorëheqje, derisa nga ekzekutivi po duan që kjo të bëhet përmes peticionit nga serbët lokalë.

Bile, në Udhëzimin Administrativ të siguruar nga Tëvë1, pjesë e mbështetjes së grupit që do të merret me hartimin e projekt- Udhëzimit Administrativ do të jenë edhe përfaqësues të ambasadave të huaja të akredituara në Kosovë, si dhe një pjesëtar nga Zyra e BE-së.

Por, për ish- kryetarin e Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, shpallja e zgjedhjeve të reja duhet të bëhet përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë.

Se një gjë e tillë duhet të ndodhë e thotë edhe njohësi i proceseve politike, Adrian Çollaku.

Veçse ky i fundit paralajmëron që zgjedhjet në veri do ta dërgojnë vendin edhe në zgjedhje të përgjithshme.

Derisa, vetë ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një intervistë për Tëvë1, pati deklaruar se forma e vetme që veriu të shkojë në zgjedhje është organizimi i peticionit.

Në anën tjetër, zyrtarë të BE-së dhe SHBA-së, kërkuan nga pala kosovare që organizimi i zgjedhjeve të reja të bëhet në procedura sa më të shpejta.

Mirëpo, përveç qeverisë, formën e njëjtë se si duhet të shkohet në zgjedhje të reja, e ka përkrahur edhe presidentja Vjosa Osmani.