Qeveria Kurti vs Bashkimi Evropian – zbardhen kërkesat e palëve që lidhen me masat dhe de-eskalimin në veri

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, thotë se deeskalimi në veri në masë të madhe ka ndodhur, derisa kërkon nga Bashkimi Evropian që sa më parë t’i largojë masat ndëshkuese dhe të përmirësojë qëndrimin ndaj Kosovës.

“Sa i përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë fer. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropian sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, ka thënë ai.

Ai shton se Kosova është e interesuar për deeskalim të plotë në veri, mirëpo sipas tij duhet të jenë të kujdesshëm nga mundësia e rieskalimit të situatës atje.

“Ne e kemi një grup punues tash që e bënë vlerësimin e gjendjes së sigurisë, ku Policia e Kosovës konsultohet edhe me EULEX-in edhe me KFOR-in. Si rezultat i këtyre vlerësimeve të këtij grupi profesional ne dy herë nga 25 për qind e kemi zvogëluar praninë e policisë sonë në tri ndërtesat në tri komunat veriore të Kosovës. Jemi të interesuar për deeskalim të mëtutjeshëm, ndonëse është konstatim i përgjithshëm se në masë të madhe deeskalimi tashmë ka ndodhur. Nuk kemi protesta të dhunshme, s’kemi incidente veçse duhet të jemi të kujdesshëm nga potencialiteti i rieskalimit. Dihet që adresa për këtë nuk ndodhet në Republikën e Kosovës, por në kryeqytetin e fqinjit tonë verior”, ka deklaruar Kurti për KP.

Kurti gjithashtu e mirëpret edhe letrën e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë, ku kërkohet mbështetje më e madhe ndaj Kosovës dhe qasje më e ashpër ndaj Serbisë.

Në anën tjetër Bashkimi Evropian tha të enjten se qeveria e Kosovës duhet të hedhë hapa shtesë për uljen e tensioneve në komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe se blloku është i gatshëm të vendosë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë nëse ajo nuk ndërmerr veprime në këtë drejtim.

Duke komentuar letrën që dhjetëra ligjvënës euro-perëndimorë u dërguan zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i bllokut Peter Stano, tha se politikën e jashtme të Bashkimit Evropian e përcaktojnë vendet anëtare të tij.

“E tëra që mund të them sa i takon kësaj çështjeje të ngritur nga 56 nënshkrues, parlamentarë nga disa vende anëtare dhe disa vende të treta, është se politikat e Bashkimit Evropian vendosen njëzëri nga 27 vendet anëtare, siç është e përcaktuar dhe siç kërkohet nga vet qeveritë e tyre. Kemi mijëra e mijëra parlamentarë në Bashkimin Evropian kështu që pozicioni dhe veprimet e Bashkimit Evropian rreth politikës së jashtme përcaktohen unanimisht nga vendimet e 27 qeverive”, tha zoti Stano.

Letra e nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë kërkon diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës, ndërsa thekson mungesën e trysnisë ndaj Serbisë pas tensioneve në veri të Kosovës.

Zoti Stano tha se qasja e Bashkimit Evropian është e paanshme.

“Ajo që kemi bërë më së fundi në dritën e përshkallëzimeve që ndodhën është vendosja e disa masave kundër qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë për të vepruar në një mënyrë evropiane drejt shtensionimit dhe marrjes së hapave të rëndësishëm në këtë drejtim”, tha zoti Stano duke theksuar se “nëse vendet anëtare kërkojnë diçka të tillë ne do të vendosim masat e nevojshme edhe kundër Serbisë nëse pra këto vende anëtare vlerësojnë se në kushtet dhe kontekstin aktual të krizës së fundit Serbia nuk po bën asgjë për të ulur tensionet”, tha ai.

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.

Zëdhënësi Stano nënvizoi sot se të gjitha masat janë të kthyeshme dhe varen nga mënyra se si Prishtina e Beogradi i qasen shtensionimit dhe kthimit në procesin e rregullt të bisedimeve.

Pas një pajtimi të arritur me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, policia e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e saj në dhe rreth ndërtesave të komunave në veri.

Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Në një përgjigje dhënë Zërit të Amerikës nëpërmjet postës elektronike Bashkimi Evropian tha se e mirëpret njoftimin e fundit të qeverisë së Kosovës për një ulje të pranisë policore brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

“Këta janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, thuhet në përgjigje.