Gjysma e gushtit saktësisht është sot, që i bie thuaja dy të tretat e stinës së verës tashmë kanë ikur.
Dhe, rëndom, së paku deri sivjet, kjo kohë nga bujqit, kopshtarët kosovarë po edhe nga qytetarët është llogaritur dhe vlerësuar si piku i verës dhe koha kur edhe në Kosovë, “arrijnë” produktet bujqësore tonat, veçmas perimet (domatja, speci, qepët, karota, spinaqi, lakra, sallatat e ndryshme etj).
Pra, gushti, e sidomos gjysma e këtij muaji gjithmonë ka qenë një kohë e favorshme për furnizimin e familjeve kosovare me perime të stinës edhe nga importi edhe vendore me çmime të pranueshme dhe të arsyeshme, sivjet nuk ka qenë aspak kështu. Ende në tregjet e gjelbra të kryeqytetit, por edhe shitoret e specializuara, në marketet dhe supermarketet, që tregtojnë produkte bujqësore, vazhdojnë të mbajnë çmime të shtrenjta të perimeve dhe jo rrallë edhe të pakapshme për mundësitë blerëse të kosovarëve shumicë.
Për shkak të çmimeve të larta të produkteve bujqësore, sidomos të perimeve dhe të pemëve, sipas fjalëve të tregtarëve, por edhe të prodhuesve, këto ditë, por edhe në javët dhe muajt e fundit ka shumë pak shitblerje të këtyre produkteve dhe qarkullim të parasë në tregjet tona të gjelbra. Në këto ditë, por edhe siç rrëfejnë tregtarët në Tregun e gjelbër kryesor të Prishtinës, edhe tani e një muaj më përpara, është bërë thuaja i pa “kapshëm” për kosovarin e rëndomtë, atë me të ardhura mesatare dhe nën to, spinaqi, i kërkuar dhe i konsumuar me vite të tëra me shumicë nga qytetarët e këtij vendi. Është bërë ky perim i “pa qasshëm”, i paarritshëm për blerësit e shumtë, për shkak të çmimit enorm të tij, që tash e një muaj ka shkuar herë herë edhe në 7-8 e më shumë euro për një kilogram. Sot, dhe dy tre ditë më parë, sipas një tregtari, ndër të rrallët që tregtonte spinaq në shtandet brenda tregut prishtinas, ka rënë çmimi i këtij perimi dhe ai po shitet edhe nga 4, madje edhe 3,5 euro kilogrami. Por, edhe me këtë çmim, sipas tregtarit, nuk ka blerës.