Pse BE-ja nuk po i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës?

Kosova tashmë ka ndërmarr disa hapa që kanë çuar në deeskalimin e situatës në veri, por BE-ja ende nuk ka lëvizur në drejtim të heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve të liderëve institucionalë për largimin e këtyre masave që janë vendosur në muajin qershor, BE-ja ka heshtur duke mos marrë asnjë veprim.

Njohësit e proceseve euro-atlantike kanë treguar arsyet e hezitimit të BE-së për largimin e “sanksioneve”.

Ata kanë bërë me dije se në sytë e BE-së veprimet e Qeverisë së Kosova nuk janë të mjaftueshme.

Politologu Avdi Smajljaj ka thënë për gazetën Nacionale se BE-ka një burokraci të theksuar institucionale që ndikon në bërjen e agjendave të reja.

Mendoj se mos heqja e sanksioneve nga BE ka dy arsye. E para, BE ka institucione serioze me byrokraci të theksuar, gjë që ngadalëson procesin e bërjes së agjendës dhe marrjes së vendimeve, përfshirë edhe vendimet për çështjen e sanksioneve. Për më tepër, aktualisht është edhe kohë pushimesh”, ka thënë Smjajljaj.

Ai ka bërë me dije se BE-ja pret që Kosova të bëj me shumë në zbatimin e marrëveshjeve të pranuara.

“E dyta, BE siç duket në vlerësimet e saj, veprimet e qeverisë nuk duken të mjaftueshme për deeskalim dhe për mundesitë e zbatimit të marrëveshjeve të pranuara nga të dyja palët, që sipas BE-së do të ishte zgjidhja e qëndrueshme, brenda së cilës do të mund të zgjidheshin edhe problemet aktuale në atë pjesë të vendit”, ka thënë Smajljaj.

Edhe ish-ministri për Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka bërë me dije se mos heqja e “sanksioneve” ka të bëj me mosbesimin e BE-së ndaj institucioneve të Kosovës.

Ai beson se BE-ja nuk t`i heq masat ndëshkuese pa u shpallur zgjedhjet në katër komunat në veri.

Nuk e kuptoj çfarë strategjie e pakuptimtë e dëmshme është aplikuar në këtë rast nga Qeveria e Kosovës dhe nuk mendoj që BE-ja do të ketë vullnet minimal që të heq dorë apo të pezullojë sanksionet që janë në fuqi për aq kohë sa Kosova dhe Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kushtet e vendosura nga BE-ja dhe ato janë krejtësisht të qarta”, ka thënë Çollaku për Klan Kosova.

Hapa të pamjaftueshëm

Me marrëveshjen e Bratislavës, Kosova është pajtuar me BE-në për ndërmarrjen e disa hapave për deeskalimin e situatës në veri.

Pas kësaj marrëveshje, institucionet e Kosovës kanë vepruar në drejtim të zbatimit të kësaj marrëveshje, duke e zvogëluar prezencën policore që është kërkuar afër katër komunave në veri.

Me ndërmarrjen e këtyre veprimeve, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga BE-ja heqjen e masave ndëshkuese.

Se fundi, heqjen e këtyre masave e ka kërkuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ajo ka bërë me dije se masat e BE-së janë të pakuptimta.

Ato masa janë të pakuptimta për mendimin tim dhe duhet të hiqen sa më shpejt. Se si do të jetë procesi do të më lejoni mos ta diskutojmë publikisht sepse i ka disa gjëra të cilat është mirë kur ndodhin dhe është mirë kur gëzohemi në fund por është mirë ta ruajmë njëfarë konfidencialiteti ndaj partnerëve”, ka thënë Gërvalla për RTK.

Pavarësisht kërkesës së Qeverie, BE-ja ende nuk ka treguar gatishmëri për heqjen e masave ndëshkuese.

Zyrtarja për politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Zoi Muletier, ka thënë për RTV21 se nevojiten edhe hapa të mëtutjeshëm.

BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të nivelit teknik në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it me qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, ka thënë Muletier.

Ujdia e Bratislavës parasheh edhe largimin e kryetarëve të katër komunave veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja pas verës.

Deri me tani ende nuk është e qartë rruga e largimit të kryetarëve të katër komunave. BE-ka kërkuar dorëheqjen e tyre, ndërsa institucionet e Kosovës kanë bërë me dije se ata do të shkarkohen me anë të një peticioni nga qytetarët.

Nga fundi i muajit qershor, Kosova është nën masa ndëshkuese të Bashkimin Evropian. Kjo për shkak injorimit të kërkesave të BE-së për deeskalimin e situatës në veri të vendit.

Bashkimi Evropian ka treguar fushat kryesore në të cilat ka ndëshkuar Kosovën, derisa Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë shumë detaje se kush janë institucionet që do të preken më shumë nga këto masa.

BE-ja ka bërë me dije se bëhet fjalë për suspendimi e MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA dhe pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera.

Deri me tani janë disa institucione qendrore dhe lokale janë ankuar se janë prekur drejtpërdrejt nga masat e BE-së.